Ahmeti: Anëtarësimi i Kosovës në KE, me rëndësi të jashtëzakonshme

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, priti në takim shefen e re të Zyrës së Këshillit të Evropës, në Prishtinë, Mary Ann Hennesy, e cila këto ditë ka filluar detyrën në këtë pozitë.

Përmes një komunikate për medie bëhet e ditur se zëvendësministri Ahmeti ka ofruar gatishmërinë e plotë të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës për të vazhduar dhe thelluar bashkëpunimin e mëtutjeshëm me Zyrën e Këshillit të Evropës në Kosovë.

Ahmeti, më tej, duke theksuar rëndësinë e jashtëzakonshme të anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës, njoftoi në lidhje me hapat pozitive që ka ndërmarrë Republika e Kosovës në plotësimin e para kushteve të ngritura nga raportuesit.

Nga ana e saj, shefja e Zyrës së Këshillit të Evropës në Kosovë, Mary Ann Hennesey, shprehu kënaqësinë për emërimin e saj në këtë pozitë dhe realizimin e takimit, veçanërisht në këtë kohë të dinamizmit të raporteve Kosovë – Këshill të Evropës, duke ofruar gatishmërinë e saj për bashkëpunim të plotë dhe shtyrjen përpara të projekteve konkrete e që janë në fushëveprim dhe mandat të kësaj zyre.

Në veçanti, Hennesey shprehu përgëzimin për institucionet e Kosovës për implementimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me pronat e Manastirit të Deçanit, duke shtuar se ky është sinjal dhe mesazh i fuqishëm që Kosova është e gatshme t’i bashkohet Këshillit të Evropës, si institucion i cili ndër të tjerash ka fushëveprim edhe sundimin e ligjit.

“Sa i përket bashkëpunimit bilateral,  Hennesy njoftoi edhe në lidhje me prioritetet e punës së saj duke u fokusuar në temat që lidhen veçanërisht me qeverisjen lokale, çështjet sociale, të drejtat e njeriut me theks projektet e ndërlidhura me barazi gjinore, orientime seksuale si dhe mbështetjen për zbatimin në praktik të ‘Konventës së Stambollit’”, thuhet në komunikatë./rtklive/

Read Previous

Dardanët fluturojnë për në Yerevan, gati për miqësoren me Armeninë

Read Next

Këto janë vendimet që i mori Qeveria në mbledhjen e sotme