AGK dënon sulmin ndaj Valon Sylës: Personat përgjegjës të arrestohen dhe të vihen para drejtësisë

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka lëshuar një komunikatë për shtyp në orët e vona ku ka dënuar ashpër sulmin e rëndë fizik ndaj gazetarit Valon Syla.

AGK ka kërkuar hetime urgjente për këtë rast.

“Gazetari njëherësh drejtuesi i Gazeta Metro, është sulmuar fizikisht, të hënën në mbrëmje nga tre persona, të cilët dyshohet se e kanë përcjellë atë nga studio e T7, ku ishte i ftuar në debat, deri në lagjen Bregu i Diellit, në Prishtinë”, thuhet fillimisht në këtë deklaratë të AGK-së.

“Gazetari Syla ka pranuar trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, teksa sipas deklaratave të tij të para për mediet, ka pësuar lëndime në kokë.

“Rasti është hapur në Policinë e Kosovës.

“Ky sulm për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës është krejtësisht i papranueshëm dhe përpjekje serioze për të penguar dhe minuar lirinë e shprehjes dhe lirinë e medies në Kosovë.

“AGK-ja, u bënë thirrje institucioneve kompetente që të marrin masat e duhura që urgjentisht të arrestojnë personat përgjegjës për sulmin dhe që ata të vihen para drejtësisë”, thuhet në këtë komunikatë.

Gazetari Valon Syla është sulmuar mbrëmë nga tre persona ende të panjohur në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë.

Vetë Syla është deklaruar pas sulmit, me ç’rast ka njoftuar se është nën përkujdesjen e mjekëve.

Gazetari Valon Syla ishte sulmuar edhe njëherë tjetër, pas etiketimit që ua bëri mërgimtarëve. /Reporteri.net/

Read Previous

Stano (BE): Nëse s’ka zbatim të planit evropian do të ketë pasoja politike dhe financiare

Read Next

Mblidhen deputetët, një sërë pikash në rendin e ditës