Abdixhiku: Shqipëria në qendër të Evropës, Kosova mbetet nën sanksione

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar lidhur me Samitin e Komunitetit Politik evropian që po mbahet në Tiranë, duke vënë në kontrast zhvillimet pozitive në Shqipëri me stagnimin politik dhe institucional në Kosovë.

Në një postim të bërë në Facebook, Abdixhiku ka shkruar se “Evropa po zbarkon në Tiranë, me të gjithë 47 liderët e saj”, duke theksuar rolin gjithnjë e më të rëndësishëm që po luan kryeqyteti shqiptar si epiqendër rajonale.

“Në Tiranën që tashmë, si epiqendër e re rajonale, është bërë shtëpi nga ku po gdhendet e ardhmja e vet kontinentit. Në këtë të ardhme, pa dyshim, po i bëhet vendi dhe vendit të shqipeve”, u shpreh Abdixhiku.

Por ai vuri në pah gjendjen në Kosovë, duke e cilësuar si vend që vazhdon të mbetet nën masa të sanksioneve dhe me institucione jo funksionale.

“Kosova, ndërsa, vazhdon të mbetet nën masa e sanksione. Vazhdon të mbetet dhe pa institucione. Mbi të gjitha, vazhdon të mbetet pa ndjenjën e urgjencës për kohën. Nuk ka urgjencë mu tha!”, ka shkruar kryetari i LDK-së, duke aluduar në atë se çka i ka thënë kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë takimit të liderëve të partive me presidenten Vjosa Osmani.

Ai kritikoi qeverisjen në detyrë, duke e akuzuar për mungesë vizioni dhe për përqendrim te pushteti si qëllim në vete.

“Zhvillimi, mirëqenia dhe progresi shoqëror janë të pakapshme për ata që kanë kapur të ardhmen e vendit tash e sa kohë. Sepse për ta, shijimi i jetës së pushtetit është vetë qëllimi. Të tjerat presin”, vijon tutje reagimi i tij.

Duke bërë thirrje për “rizgjim kombëtar”, Abdixhiku theksoi se ky rizgjim nuk mund të vonohet më dhe se ai duhet të vijë nga vetë populli.

“Ky rizgjim i Kosovës kërkon urgjencë. Kjo urgjencë nuk vjen nga ata që nuk e njohin nevojën. Vjen nga populli i Kosovës që rizgjohet!”, ka shkruar tutje Abdixhiku.

Në fund, ai përgëzoi Shqipërinë për rolin e saj në skenën evropiane.

“Shqipërisë, vetëm përgëzime”, ka përfunduar Abdixhiku. /Koha.net/

Read Previous

Sacchi: Ta shoh Milanin në këtë gjendje, më jep një trishtim të madh

Read Next

Gjermania e shuan postin e Manuel Sarrazinit