“Qëndrimet e Lidhjes Demokratike të Kosovës tashmë ju i dini”, tha shkurt para gazetarëve, Lumir Abdixhiku duke u larguar nga zyrat e LDK-së.
Abdixhiku është pyetur nga gazetarët për ftesën për koalicion që i dërgoi Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, të hënën.
“Pritni keni durim, do të jem transparent si çdoherë tjetër. Qëndrimet e LDK-së tashmë i dini”, tha shkurt Abdixhiku.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka dërguar një letër, kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, në të cilën thuhej se janë të interesuar për koalicion qeverisës.
Kurti në këtë letër e pranon se 61 vota përveç formimit të qeverisë, duhet t’i ketë edhe për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
“Si kryetar i LVV-së dhe kryeministër në detyrë i Republikës së Kosovës, jam i interesuar dhe i vullnetshëm për marrëveshje politike me LDK-në. Ne sigurisht që kemi dallime në bindje politike e në politikat qeverisëse, por koalicionet bëhen pikërisht ndërmjet atyre që kanë dallime, duke vendosur të drejtat dhe nevojat e shtetit dhe të qytetarëve si prioritet”, thuhet në letrën e Kurtit.
Sot, për herën e 11-të ka dështuar të konstituohet Kuvendi i Kosovës. /KosovaPress/