Abdixhiku: Buxheti të reflektojë ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë

Deputeti dhe kryetari i Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, kritikoi projektbuxhetin për vitin 2026. Ai tha se projektbuxheti është edhe jokushtetues, nëse nuk merr parasysh buxhetin e miratuar të Prishtinës.

Abdixhiku në seancën e sotme të Kuvendit tha se buxheti nuk reflekton as strukturën e re qeveritare, as zotimet e dhëna.

“Për ne është e rëndësishme, për LDK-në, që buxheti i Kosovës të reflektojë ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë, fjalën e kam për buxhetin e kryeqytetit. Paradoksalisht, ky buxhet nuk e merr parasysh buxhetin e kryeqytetit të vet. Është e habitshme dhe shqetësuese se si Kuvendit i sillet një dokument që s’e respekton vendimmarrjen autonome të kryeqytetit të vet. Së këndejmi, menjëherë bëhet jokushtetues. Sa për rikujtim, Prishtina e ka miratuar buxhetin më 6 shkurt të vitit 2026, ndërsa buxheti i Kosovës është sjellë në Kuvendin e Kosovës për herë të parë më 13 shkurt të vitit 2026. Mos i ngatërroni gjërat me legjislaturën e kaluar, kjo është legjislaturë e re”, tha ai.

Madje, Abdixhiku tha se nëse LDK-së i mohohet buxheti për kryeqytetin, LDK-ja do ta ridefinojë pozicionin e saj në çështje që kërkojnë edhe votat e deputetëve të LDK-së.

“Nëse LDK-së i mohohet nga ky Kuvend një e drejtë kushtetuese vetëm nga vullneti i numrave të shumicës, atëherë edhe LDK-ja do ta ridefinojë pozicionin e saj në çështje që kërkojnë numrat tanë në këtë Kuvend”, shtoi Abdixhiku. /KosovaPress/

Read Previous

​Hamza: Nuk dua të besoj se urgjenca për miratimin e buxhetit lidhet me zgjedhjen e presidentit

Read Next

Kurti: Buxheti i 2026 përfshinë rritjen e pensioneve e shtesave për fëmijë