​Hamza: Nuk dua të besoj se urgjenca për miratimin e buxhetit lidhet me zgjedhjen e presidentit

Deputeti dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, pyeti mazhorancën në Kuvendin e Kosovës për urgjencën e miratimit të buxhetit me procedura të përshpejtuara.

Ai në seancën e sotme të Kuvendit tha se për këtë urgjencë i shkojnë në mendje dy gjëra: pamundësia e debatit në Kuvend dhe ndërlidhja me çështjen e zgjedhjes së presidentit.

“Nuk e kuptoj pse kjo urgjencë kaq e madhe. Ne nuk duam dhe nuk lejojmë vonesa, por pse kjo urgjencë kaq e madhe? Vetëm dy arsye më shkojnë ndër mend. E para që t’iu pamundësohet deputetëve që me diskutimet e tyre sigurisht të shprehin kritika dhe të japin propozime dhe alternativa. E dyta, nuk dua të besoj se vendi ka nevojë për institucione dhe stabilitet. Nuk dua të besoj se kjo çështje lidhet me rastin e presidentit apo presidentes”, tha ai.

Buxhetin Hamza e konsideroi si menaxhim të status-quo-së, i cili po ashtu nuk reflekton asnjë premtim të kryeministrit Albin Kurti të shfaqur në ekspozenë e tij më 11 shkurt.

“Është buxhet që menaxhon status-quo-në. Kjo si rezultat i rritjes së shpenzimeve operative dhe po ashtu te transferet dhe subvencionet. Kjo ndikon në rritjen e konsumit në periudhë afatshkurtër dhe si rritje e shpenzimeve rrjedhëse në periudhë afatgjatë e zvogëlon hapësirën për investime kapitale. Këto shpenzime të rritura për subvencione dhe transfere e zvogëlojnë hapësirën fiskale për periudhat e ardhshme dhe sigurisht do të ndikojnë në pamundësinë e bazës prodhuese dhe eksportuese. Këtu vërehet se ka mungesë të investimeve për sektorë strategjikë në Kosovë…Shumica prej tyre nuk janë të reflektuara në këtë buxhet. Nuk janë të reflektuara as në vitin 2026 dhe as në vitet vijuese. Diçka që nuk e ka konstruksionin financiar mbetet në nivel të ideve”, shtoi Hamza.

Krahas kësaj, Hamza e konsideroi të domosdoshme edhe përfshirjen në Ligjin e Buxhetit të buxhetit të Komunës së Prishtinës. /KosovaPress/

Read Previous

Rama viziton Kosovën, pritet sot nga Kurti

Read Next

Abdixhiku: Buxheti të reflektojë ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë