Kryeministri me mandat teknik i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, e ka dënuar vrasjen e rreshterit Afrim Bunjaku të dielën e 24 shtatorit në fshatin Banjskë të Zveçanit.
“Unë personalisht dënoj fuqishëm dhunën dhe vrasjen. Çfarë mund të themi tjetër, u tronditëm vërtet. Kjo lloj situate mund të kthehet lehtësisht në një konflikt në shkallë më të gjerë dhe kjo është një fatkeqësi”, tha ai për mediat malazeze.
“Ne mendojmë se politika e viteve 90-ta duhet të marrë fund”, ka theksuar ai.
Abazoviç po ashtu i bëri thirrje popullit serb dhe atij kosovar që të përpiqen të pajtohen.
“Unë garantoj se të gjithë do të jenë mirë”, shtoi ai.
Ndryshe, një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra, një u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi terrorist nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit të dielën e 24 shtatorit.
Organet e rendit konfirmuan se tre sulmues janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë arrestuar, dy prej tyre të uniformuar dhe katër të tjerë që ndihmonin në operacion përmes radiolidhjeve.
Derisa pjesëtarët e tjerë të grupit terrorist dyshohet se janë arratisur duke kaluar në territorin e Serbisë.
Mediumi boshnjak Istraga.ba në Sarajevë pretendon se krimineli Millan Radojiçiç është plagosur të dielën në Veri, konkretisht në fshatin Banjskë të Zveçanit.
Sipas këtij mediumi, Radojiçiç i cili është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe është i dyshuar edhe për vrasjen e politikanit serb nga Kosova Oliver Ivanoviç-it, ndodhet në Serbi dhe po trajtohet.
Se krimineli serb ishte në Veri, e tha edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në një konferencë për media ku janë prezantuar armët, uniformat dhe pajisjet logjistike të konfiskuara nga Policia e Kosovës në Veri, ka thënë se janë gjetur edhe dokumente të Radojiçiç-it. /Albanianpost.com