Mesfushori i Juventusit, Paul Pogba, ka zbuluar së fundmi se ndalimi i tij për doping është ulur në 18 muaj, pas ankesës së suksesshme në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS). Sipas vendimit të ri, Pogba pritet të kthehet në veprim në mars 2025.
Megjithatë, kanë lindur spekulime për të ardhmen e tij në Juventus, me Daily Mail që raporton se gjigantët e Serie A janë në bisedime për një ndërprerje reciproke të kontratës. Trajneri i Francës, Didier Deschamps, ka mirëpritur lajmin për reduktimin e dënimit të Pogba-s, duke u zotuar se do ta mbështesë në fazën tjetër të karrierës së tij, megjithëse pa i hapur drejtpërdrejt derën rikthimit në ekipin kombëtar.
Në një intervistë për Federatën Franceze të Futbollit, Deschamps tha: “Kam biseduar me të gjatë kësaj periudhe sfiduese. Ky është një lajm shumë pozitiv për të. Tani, ai e di se mund të kthehet në mars, dhe duhet të bëjë shumë punë specifike. Edhe pse ky është një sanksion i rëndë, 18 muajt janë më të butë se katër vitet e para, dhe është një lajm i shkëlqyer nga ana njerëzore.”
Deschamps shtoi: “Do të ketë diskutime me Juventusin, por të paktën ai e di se në mars 2025 mund të rikthehet në fushë. Ai e do futbollin aq shumë. Siguroj që mbetem në kontakt me të dhe mbështesin të gjithë lojtarët që kam njohur që në fillim. Në momentet e ndërlikuara, lojtarët e dinë se unë jam në dispozicion dhe mund të komunikoj me ta. Kjo është thelbësore për mua, pavarësisht se çfarë do të ndodhë nesër.”
31-vjeçari është lidhur me një lëvizje në MLS, pasi disa klube amerikane kanë treguar interes për shërbimet e tij. Një transferim në Ligue 1 gjithashtu mund të jetë një opsion, me ish-yllin e Manchester United, Patrice Evra, duke shprehur dëshirën që Pogba të lidhet me Mason Greenwood në Marseille. /Goal.com/