A janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore për lirimin me kusht të ish-krerëve të UÇK-së?

Me përfundimin e dëgjimit të mbi 120 dëshmitarëve të Zyrës së Prokurorisë Speciale në rastin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është shuar edhe çdo arsye ligjore që Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi të mbahen në paraburgim, vlerësojnë njohësit e çështjeve juridike.

Duke potencuar se paraburgimi është masa më e ashpër për sigurimin e të pandehurit në procedurë, avokati, Ardian Bajraktari, potencon se nga fillimi i muajit prill kur kanë përfunduar deklarimet e dëshmitarëve të prokurorisë, paraburgimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së “është jo proporcional” dhe në “shpërputhje me kushtet e parapara në nenin 41, paragrafi 6 të Ligjit për Dhomat e Specializuara si dhe praktiken e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.

“Këto kushte nuk qëndrojnë për faktin se çlirimtarët tanë, janë paraqitur vullnetarisht para autoriteteve me çka kanë shprehë se janë të gatshëm për t’u paraqitur para autoriteteve që e zhvillojnë procedurën, për më tepër tashmë ka përfunduar dëgjimi i dëshmitarëve dhe mundësia e ndikimit në ta përkatësisht në prova është zero, si dhe po ashtu as përsëritja e veprës/veprave penale, andaj në këto rrethana paraburgimi është  absolutisht jo proporcionale dhe i panevojshëm”, thotë ai.

Në këtë kontekst, sipas Bajraktarit, mund të aplikohen masa të tjera si arresti shtëpiak.

Në të njëjtën linjë të mendimit është edhe avokati i licencuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, Mentor Beqiri.

“Për qëndrimet tona si Mbrojtje, mund të referoheni në parashtresat që i kemi dorëzuar pranë Gjykatës Speciale, ku kemi cekur se nuk ekziston asnjë kusht ligjor për mbajtjen në paraburgim të klientëve tanë”, tha ai për Albanian Post.

Në anën tjetër për avokatin, Artan Çerkini, i cili po ashtu është i licencuar nga Gjykata Speciale, argumenti kryesor i Prokurorisë për mbajtjen në paraburgim ka qenë rreziku i ndikimit në dëshmitarë, i cili nuk ekziston më, andaj sipas tij janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore që ish-krerët e UÇK-së të lirohen nga paraburgimi.

“I vetmi argument i Prokurorisë ka qenë që të pandehurit të mbahen në paraburgim për shkak të rrezikut të ndikimit në dëshmitarë. Tashmë ky rrezik nuk ekziston, sepse Prokuroria e ka përfunduar rastin e saj dhe dëshmitarët e saj janë dëgjuar. Për rrjedhojë, nuk ka më mundësi që të ndikohet në dëshmitarët e Prokurorisë”, ka thënë ai.

Në tetor të vitit 2020 ishte konfirmuar aktakuza për të ashtuquajtura krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi akuzohen se kishin qenë pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” që shënjestronte ata që i konsideronte “kolaboracionistë” dhe “tradhtarë” për të “fituar pushtet” gjatë dhe pas luftës së fundit në Kosovë.

Ndryshe trupi mbrojtës i ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 2 qershor pritet ta dorëzojnë në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë mocionin për rrëzimin e pikave të aktakuzës.

Pas dorëzimit, Zyra e Prokurorisë Speciale ka një muaj kohë që t’i përgjigjet këtij mocioni. /Albanianpost.com

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Read Previous

Trump njofton se do të rrisë tarifat për çelikun e importuar në 50%

Read Next

​Kina paralajmëron SHBA-në të mos luajë me zjarrin për shkak të Tajvanit