Aventura e portierit Ederson te Manchester City mund të jetë pranë përfundimit, me brazilianin që ka shumë gjasa të largohet nga skuadra e Pep Guardiolës këtë verë. Arabia Saudite duket se mund të jetë destinacioni i tij i ardhshëm.
Sipas raporteve të fundit nga mediat britanike, Al-Ittihad ka shprehur interes për portierin brazilian për sezonin e ardhshëm. “Gjigantët” e Saudi Pro League janë të gatshëm të ofrojnë 25 milionë paund për nënshkrimin e tij. Megjithatë, negociatat kanë ngecur, pasi “Qytetarët” kërkojnë të paktën 50 milionë paund për Ederson.
Që nga ardhja e tij në Premier League në vitin 2017, Ederson ka luajtur një rol të rëndësishëm në sukseset e Manchester City. Ai ka kontribuar në fitimin e gjashtë titujve të Premier League, katër Kupave të Ligës, dy FA Cups, dy Community Shields, dhe gjithashtu në triumfet në Champions League, Superkupën e Evropës dhe Kupën e Botës për Klube.