Joshua Kimmich ndodhet në një situatë të paqartë te Bayern Munich. Mbrojtësi i djathtë, i rikthyer në rolin e mesfushorit, është në prag të skadimit të kontratës me klubin gjerman (në fund të sezonit), por ende nuk është marrë një vendim për të ardhmen e tij.
Kjo pritje ka shqetësuar jo vetëm tifozët bavarezë, por edhe drejtuesit e lartë të “Die Roten”, të cilët dëshirojnë ta zgjidhin këtë çështje sa më parë, në një mënyrë apo në tjetrën.
Sipas “Sky Sports DE”, përpara Krishtlindjeve, Bayern Munich i ka shprehur Joshua Kimmich dëshirën e qartë: të japë një deklaratë të hapur dhe transparente mbi të ardhmen e tij deri më 5 janar. Kjo nënkuptonte që ai të bënte të ditur nëse do të rinovonte kontratën apo do të largohej për t’u bashkuar me një klub tjetër. Kjo kërkesë është bërë për të garantuar siguri në planifikimin e së ardhmes së klubit.
Megjithatë, data e sugjeruar, sqarojnë burimet, nuk ishte një ultimatum, por thjesht kërkesë. Deri më tani, Kimmich nuk ka marrë ende një vendim përfundimtar. Bisedimet mes palëve janë ende në zhvillim dhe, gjatë ditëve të fundit, janë mbajtur takime të tjera për të diskutuar situatën. Gjithsesi, lojtari po merr kohë për të reflektuar. Ndërkohë, Kimmich ka oferta të rëndësishme në tryezë, veçanërisht nga Spanja dhe Premier League. /Telesport.al/