Një ngjarje tragjike ka ndodhur dje në Komisariatin nr. 3 në Tiranë, ku një punonjës policie ka vrarë me armë zjarri kolegun e tij, pas një konflikti të ndodhur në sallën e mbledhjeve. Fatkeqësisht, punonjësi i policisë nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve. Sipas të dhënave të para, thuhet se në vendngjarje janë dëgjuar gjashtë të shtëna.
Të dy personat e përfshirë në ngjarje janë policë të patrullës së përgjithshme, ndërsa viktima ishte në prag pensioni. Autori ka një vit e gjysmë në polici, kurse viktima ushtronte detyrën prej mbi 20 vitesh.
Dyshimet e para janë se arsyeja e acarimit të të riut ishte se viktima e bullizonte prej kohësh. Ai fillimisht e ka qëlluar tre herë, më pas ka hyrë në komisariat dhe e ka qëlluar edhe tre herë të tjera duke e lënë të plagosur rëndë./Top-Channel/