Njerëzit shpenzojnë shumë para në “Duty Free”, por jo pak herë harrojnë në avion ato që blejnë. Celularët dhe qeset me mallrat e blera në dyqanet pa taksa të aeroporteve – janë dy nga gjërat që harrohen më shpesh nga pasagjerët. Por përveç tyre, pasagjerët lënë pas edhe bagazhet.
Çfarë ndodh me to?
– Si fillim, të gjitha vendosen në magazinat “Lost and found” në aeroporte.
– Aeroporti i mban këto bagazhe për 1 vit e gjysmë.
– Ushqimet, sidoqoftë, hiqen, ndonëse në valixhet e shqiptarëve ato nuk mungojnë pothuajse asnjëherë.
Bledar Pula, agjen në “Lost and found” në aeroportin e Rinasit, thotë për Euronews:
“Disa prej valixheve u janë identifikuar të zotët dhe presim që të vijnë t’i marrin. Për valixhet që janë prej kohësh në magazinë, bëhet një regjistrim final dhe i dërgojmë për bamirësi”.
Prej pandemisë disa prej valixheve janë mbajtur më shumë se 1 vit e gjysmë. Pas kalimit të këtij afati, aeroporti i Rinasit i ka dërguar për bamirësi në shtëpitë e fëmijëve apo dhe institucionet e kultit.PAMJE NGA “LOST AND FOUND” NË RINAS (FOTO NGA EURONEWS)
Aeroportet pas 5 ditësh tentativa për të kontaktuar më të zotët e tyre, i dërgojnë në zyrat qendrore të kompanive ajrore, në Itali, Austri, Greqi, Gjermani etj.
“Pas 5 ditësh merret kompania me bagazhet dhe klientët e saj”, shprehet Mustafa Bylyku, agjent i “Lost and Found”.
Mbi 97% të rasteve të vonesave apo harresave, të zotët i marrin bagazhet brenda 12-24 orëve, kryesisht me fluturimin e radhës së kompanisë ajrore.
“Ka raste kur nuk nisen fare dhe ia dërgojmë ne në destinacion ose kur i ka humbur shirit identifikues që ngelen këtu”, shton Bylyku.
Aeroportet e mëdha ndërkombëtare aplikojnë si praktikë nxjerrjen e bagazheve të pa tërhequra në ankand, madje dhe krijimin e qendrave të mëdha tregtare me sendet e vendosura brenda tyre. Herën tjetër që udhëtoni, sigurohuni te vendosni elemente shtesë identifikimi brenda valixhes, në rast se shiriti me emrin tuaj humbet gjatë transportit./Anabelmagazine