Kosova, për varësinë nga thëngjilli rënditet e dyta në botë

Vetëm një shtet në botë ia kalon Kosovës për varësinë nga thëngjilli për energjinë elektrike. Bëhet fjalë për Botswanan në Afrikë, që mbi 99 për qind të furnizimit me energji elektrike burim e ka thëngjillin. Ndërkaq, Kosova shfrytëzon thëngjillin për prodhimin e rreth 95 për qind të rrymës elektrike në vend.

Raporti del nga të dhënat për vitin 2020 të “Emberit”, organizatë ndërkombëtare e fokusuar për transicionin e energjisë elektrike në botë. Aktualisht mungesa e thëngjillit po shkakton telashe të mëdha në furnizim me energji elektrike në dy prej ekonomive më të mëdha të botës, Indi e Kinë. Mungesat po shfaqen për shkak se aktiviteti ekonomik është duke u kthyer në normalitet pas situatës me koronavirus, ndërkaq prodhimi i thëngjillit po bie për shkak të problemeve me motin e shqetësimeve për mjedisin. Rritja e paprecedentë e çmimeve të gazit dhe thëngjillit, ka bërë që në uebfaqen e specializuar për statistika “Statista” të krijohet lista e shteteve më të varura nga thëngjilli për prodhim të rrymës, bazuar në të dhënat e “Emberit”.

Përpos sasisë së vogël të energjisë elektrike që krijohet nga era dhe hidrocentralet dhe asaj që importohet, shumica dërrmuese e energjisë elektrike në vend vjen nga termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”. Saktësisht 94.9 për qind e rrymës elektrike në Kosovë për burim e ka thëngjillin.

Pas Kosovës, në listën botërore të varësisë nga thëngjilli është Mongolia me 2.6 për qind më pak varësi. Lista vazhdon me Afrikën Jugore e Moldavinë në top-pesëshe. Tri shtete të Ballkanit Perëndimor zënë vend në top-dhjetëshe. Pos Kosovës, Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina janë dy shtetet e tjera nga rajoni që zënë vend në listën e vendeve më të varura nga thëngjilli për energji elektrike. Në top dhjetë vendet më të varura nga thëngjilli hyjnë edhe India, Polonia, Kazakistani dhe Indonezia.

Image

E zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, të premten në KTV u shpreh se Kosova ka rreth 14 miliardë tonë rezerva të qymyrit, por pavarësisht kësaj s’ka arritur t’i mbulojë të gjitha kërkesat e brendshme. Sipas tij, pasuria e madhe nëntokësore e Kosovës ka mundur të shfrytëzohej edhe për eksport.

“Ne si vend kemi dështuar. Kemi 14 miliardë tonë rezerva të qymyrit dhe s’kemi arritur t’i mbulojmë as kërkesat e brendshme për energji elektrike. Kapacitetet e gjithmbarshme janë diku 900 megavatë, por për shkak të vjetërsisë s’mund të prodhohen mbi 800 gati asnjëherë. Kemi kërkesë, e cila shkon në 1200-1300 megavatë gjatë kohës së pikut të dimrit. 400-500 megavatë/orë mungesë gjatë dimrit, apo rreth 50 për qind të prodhimit. Kjo është alarmante, kur dihet që çmimet e energjisë elektrike të importit janë rritur në mënyrë astronomike”, u shpreh ai.

Pavarësisht se Kosova varet në masë të madhe nga thëngjilli për energjinë elektrike, rritja e çmimeve të saj në Evropë ka prodhuar sot efektet e para në ekonominë e vendit. Fabrika e “Ferronikelit”, në të cilën zhvillojnë aktivitet mijëra të punësuar, pezulloi punën. Në një njoftim adresuar mediave, në këtë kompani kanë thënë se detyrohen ta ndërpresin përkohësisht prodhimin për shkak të rritjes së vazhdueshme të çmimit të energjisë elektrike në tregjet evropiane.

Për rritjen e çmimeve që pritet të bëhet, kanë nisur të merren masa në rajon dhe Evropë. Të premten, Qeveria e Shqipërisë ka shpallur emergjencë në furnizimin me energji elektrike, e për të shtunën ka paralajmëruar ta prezantojë planin për përballimin me këtë situatë. “Është një situatë shumë e ngjashme nga aspekti i goditjes me situatën e pandemisë. Në këtë kuptim të gjithë janë të prekur”, ka thënë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. “Ndryshe nga pandemia, vende të ndryshme kanë karakteristika të ndryshme. Ekspertët mendojnë se kriza do të jetë prezent me kulmin e saj deri në mesin e vitit të ardhshëm. Edhe pas kapërcimit të kulmit, çmimet nuk do të kthehen aty ku ishin më parë. Ajo që na takon është t’i mbrojmë konsumatorët tanë”.

Por, në Qeverinë e Kosovës nuk ka pasur ndonjë reagim deri tash. E NewCo Ferronikeli që e pezulloi punën gjatë ditës, kumtoi se paraprakisht kishte kërkuar ndihmë nga ekzekutivi./Koha.net

Read Previous

QKUK/ Mjekët 44 ditë ‘luftë’ për shpëtimin e foshnjës

Read Next

Gjashtë raste të dhunës në familje gjatë 24 orëve të fundit