​Arrijnë në Kosovë dozat e para Pfizer të blera nga Qeveria

Sot kanë mbërritur në Kosovë dozat e para të vaksinës kundër Covid-19 të Pfizer nga kontrata e Ministrisë së Shëndetësisë me prodhuesin amerikan.

Në njoftim thuhet se me ardhjen e dozave të para Pfizer, vaksinimi në masë do të shtrihet edhe tek kategoritë e tjera të popullatës deri në arritjen e objektivit tonë për imunizimin aktiv të 60% të qytetarëve brenda vitit 2021.

“Këto vaksina do të ndihmojnë edhe më shumë punëtorët tanë shëndetësor, të cilët kanë qenë në ballë të betejës kundër pandemisë COVID-19 që nga dita e parë. Duke qenë se pandemia nuk është vetëm çështje e shëndetit publik, Ministria e Shëndetësisë dhe ekspertët shëndetësor kanë vënë prioritet vaksinimin në masë, për të siguruar kështu funksionimin normal të veprimtarive shoqërore që mundësojnë kthimin në një normalitet social dhe ekonomik për qytetarët dhe bizneset në Kosovë”, thekson Ministria e Shëndetësisë.

Për Ministrinë e Shëndetësisë, përveç sigurimit të vaksinave për të gjithë qytetarët, prioritet ka qenë që vaksinat të cilat administrohen në Republikën e Kosovës, të jenë vaksina të aprovuara nga EMA Evropiane dhe FDA Amerikane, dhe kështu vaksinat kundër COVID-it janë të sigurta dhe forma më efikase në përballjen me pandeminë.

Edhe pas sigurimit të vaksinave Pfizer, MSH kërkon nga qytetarët respektimin e masave parandaluese sikurse janë distanca fizike, mbajtja e maskës, ajrosja e hapësirave të mbyllura dhe higjiena e duarve.

Ndryshe, nga grupet prioritare, që janë vaksinuar javët paraprake – punëtorët shëndetësor, grup-mosha mbi 65 vjeç, më 15 qershor në Kosovë ka filluar me zbatimi i planit të ri të vaksinimit në masë, që zgjeron kategoritë për vaksinim me qytetarët me sëmundje kronike pa dallim moshe, mësimdhënësit, forcat e rendit dhe pjesëtarët e FSK-së, të përfshirë drejtpërdrejt në menaxhimin e pandemisë. 

Read Previous

Varianti Delta shkakton kufizime të reja të udhëtimit nëpër Evropë

Read Next

Përzierja e vaksinave kundër Covid-19 “ofron mbrojtje të mirë”