Kërcënimi me armë në Ministrinë e Ekonomisë, Policia nuk ia gjeti armën të dyshuarit

Detaje të reja janë siguruar nga Gazeta Sinjali lidhur me incidentin në Ministrinë e Ekonomisë, ku një zyrtar ligjor është arrestuar pas denoncimit se kishte kërcënuar me armë një koleg të tij.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se Sami Shaqiri (46), gjatë kontrollit policor, nuk është gjetur në posedim të ndonjë arme, ndërsa në intervistim ka mohuar se kishte pasur apo përdorur armë gjatë incidentit.

Rasti kishte ndodhur të hënën, rreth orës 11:40, në katin e tretë të objektit të Ministrisë së Ekonomisë, ku ushtruesi i detyrës së drejtorit ligjor, Dardan Bujupi (29), kishte raportuar se kolegu i tij i ishte vërsulur dhe e kishte kërcënuar me armë.

Pas ngjarjes, Shaqiri ishte larguar nga objekti, ndërsa rreth orës 13:20 është hasur nga Policia në hyrje të Ministrisë dhe është shoqëruar për intervistim.

Një tjetër zhvillim është ndryshimi i cilësimit penal të rastit.

Fillimisht, procedura ishte iniciuar për veprën penale “Kanosje”, por pas shqyrtimit të rrethanave dhe veprimeve hetimore, Prokuroria ka udhëzuar që rasti të procedohet si “Sulm ndaj personit zyrtar”.

Me vendim të Prokurorisë, Shaqiri është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet janë marrë përsipër nga njësia rajonale.

Shënim. I akuzuari prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me aktgjykim të formës së prerë.

/GazetaSinjali/

Read Previous

24 orët e fundit në rajonin e Gjakovës: Therje me thikë, katër raste të dhunës në familje dhe disa të arrestuar

Read Next

​Teuta Haxhiu propozon ndryshimin e Ligjit për Pensionet, kërkon pension edhe për ata që nuk i kanë 15 vjet kontribute