Inskenoi vjedhjen e armëve në poligonin e tij? Arrestohet një person në Gjakovë

Policia e Kosovës bëri të ditur se u arrestua një person në Gjakovë, nën dyshimin se inskenoi vjedhjen e armëve në poligonin e vet.

“Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në bashkëpunim e koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjakovë, kanë trajtuar rastin e paraqitur më 30.10.2026, si ‘vjedhje e rëndë’, të ndodhur në një depo (poligon) armësh në Gjakovë.

Në vazhdën e hetimeve të rastit, hetimet kanë rezultuar me ngritjen e dyshimit të arsyeshëm se  raportimi i pronarit të depos-poligonit, ka qenë inskenim i vjedhjes dhe se armët në këtë poligon të licencuar janë keqpërdorur përkatësisht janë shitur për palët e treta nga vetë pronari i poligonit.

Më qëllim të sigurimit të  provave shtesë lidhur me dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse’ dhe ‘Deklarimi i rremë’, sot më 03.11.2026 njësitet policore  nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të  Organizuar dhe Krimeve Rënda, në koordinim me PTH- Gjakovë kanë zhvilluar kontroll në 3 lokacione në rajonin e Gjakovës.

Është arrestuar i dyshuari V.C., mashkull kosovar, janë  sekuestruar dëshmi të cilat do të përdorën në procedurën penale. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit nga PTH-Gjakovë i caktohet masa e ndalimit për 48 orë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës. /Kosovapress/

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Read Previous

Jazzfest Berlin 2026 sjell një festival të mbushur me improvizim, eksperimente dhe ëndrra muzikore