Hamilton: Ky është momenti kyç për të marrë vendime në lidhje me makinën e vitit 2027

Në fazën përmbyllëse të kampionatit botëror të Formula 1, Ferrari i ka vënë vetes si qëllim fitimin e sa më shumë garave dhe sigurimin e vendit të dytë në Kampionatin e Konstruktorëve.

Edhe pse shpresa për t’u rikthyer te lavdia e titullit kampion shtyhet sërish për një sezon tjetër, një renditje në vendin e dytë do të shërbente si një bazë e fortë për vitin 2027.

Për më tepër, si Lewis Hamilton ashtu edhe Charles Leclerc janë ende fuqishëm në garë për vendin e dytë në kampionatin e pilotëve, duke qenë prapa George Russell respektivisht me vetëm 1 dhe 9 pikë.

Në 18 gara, “kokëkuqja” ka siguruar 2 fitore dhe asnjë “pole position”. Tashmë është e qartë se projekti SF-26 i Ferrari është treguar mjaft efektiv për sa i përket shasisë dhe aerodinamikës, ndonëse mbeten ende disa mangësi në lidhje me njësinë e fuqisë.

Në analizën e tij, Lewis Hamilton shprehu besim te përmirësimet që do të bëhen gjatë dimrit, duke theksuar rëndësinë e marrjes së vendimeve të duhura se cilat fusha duhen zhvilluar.

“Ky është një moment vendimtar për ta orientuar makinën në drejtimin e duhur për vitin e ardhshëm. Unë po punoj konkretisht mbi aspektet që duhet t’i përmirësojmë. Kjo është pjesë e diskutimeve që po zhvillohen këtë javë dhe gjatë dy javëve të ardhshme”, tha Hamilton.

Kampioni britanik është i qartë në mendimet e tij: “Kjo është koha për të filluar marrjen e vendimeve dhe për të kuptuar se ka fusha të cilat, nëse zhvillohen, mund të sjellin një përfitim prej gjysmë të dhjetës së sekondës në çdo kthesë”.

“Nuk bëhet fjalë për një numër të madh ndryshimesh. Ne kemi një paketë shumë të mire, çështja është të ruajmë aspektet pozitive të kësaj makine, të korrigjojmë disa probleme të vogla dhe më pas të vlerësojmë se çfarë shpejtësie do të kemi në vijat e drejta,” përfundoi Hamilton. /Telesport.al/

Read Previous

Ukraina pret raketat Patriot, Trump mban pezull vendimin! Shqetësohet NATO

Read Next

Kurti: Anëtarësimi në NATO, prioritet strategjik i Kosovës