Mediumi gjerman “Cicero” ka publikuar një analizë të gjerë për aktgjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke ngritur pikëpyetje veçanërisht për masën e dënimit ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Në analizën e publikuar më 20 shtator, autori Alexander Rhotert vëren se të akuzuarit janë liruar nga akuzat për krime kundër njerëzimit dhe e cilëson të kuptueshme kritikën që ka ardhur nga Kosova për lartësinë e dënimeve.
“Cicero” sjell në vëmendje krahasimin me disa figura nga Serbia dhe Bosnja, të dënuara nga Tribunalet ndërkombëtare për krime të rënda gjatë luftërave në ish-Jugosllavi.
Mediumi përmend Biljana Plavšić, e dënuar me 11 vjet burg për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, Vojislav Šešelj me 10 vjet, Jovica Stanišić me 15 vjet, si dhe ish-gjeneralin e policisë serbe Vlastimir Đorđević, i dënuar me 18 vjet burg. Për këtë të fundit, artikulli rikujton se ishte dënuar lidhur me krime ndaj civilëve shqiptarë të Kosovës.
Në këtë kontekst, autori shkruan se, krahasuar me raste të tjera nga ish-Jugosllavia ku janë shqiptuar dënime për krime kundër njerëzimit, dënimi prej 25 vjetësh ndaj Thaçit duket dukshëm më i rëndë.
Sipas analizës, pikërisht krahasimi ndërmjet rastit të Thaçit dhe atij të Đorđevićit ngre të paktën “një pikëpyetje”, ndonëse autori nënvizon se bëhet fjalë për dy gjykata të ndryshme.
“Cicero” thekson po ashtu se Gjykata nuk ka konstatuar se të dënuarit kishin synim dëbimin apo vrasjen masive të jo-shqiptarëve dhe se akuza nuk arriti ta provonte një synim të tillë.
Analiza është shkruar nga Alexander Rhotert, politolog që studion ish-Jugosllavinë që nga viti 1991 dhe që, sipas biografisë së publikuar nga “Cicero”, ka punuar për rreth 20 vjet në struktura të OKB-së, NATO-s, OSBE-së, OHR-së dhe BE-së. /Nacionale/