Berisha: Vendimi i Hagës nuk e errëson luftën çlirimtare të Kosovës
Deputetja socialiste Elisa Spiropali ka reaguar ashpër pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.
Në një deklaratë publike, Spiropali e ka cilësuar vendimin si një goditje ndaj asaj që ajo e konsideron themel të lirisë së Kosovës, duke argumentuar se përmes këtij procesi po tentohet të kriminalizohet lufta çlirimtare e Kosovës.
Spiropali ka bërë një paralelizëm mes vendimit të sotëm dhe qëndrimit të regjimit të Slobodan Millosheviçit ndaj Hashim Thaçit gjatë viteve të luftës në Kosovë.
“Serbia e Millosheviçit e dënoi Hashim Thaçin e Kosovës me dhjetë vjet burg. Për një arsye të vetme: sepse Hashim Thaçi nuk zgjodhi zgjedhën, por rezistencën e armatosur kundër robërisë”, është shprehur ajo.
Sipas Spiropalit, pasojat e vendimit të Hagës nuk lidhen vetëm me fatin juridik të katër ish-drejtuesve të UÇK-së, por prekin edhe mënyrën se si interpretohet historikisht lufta e Kosovës.
“Sot, në Hagë, nuk u dënuan mizorisht katër individë; Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi. Përmes gjuhës së përdorur dhe rrëfimit politik u dënua ajo çka në fakt për shqiptarët dhe botën mbarë, pavarësisht si e formuluan, ishte një ndërmarrje çlirimtare”, ka deklaruar Spiropali.
Ajo ka kundërshtuar gjithashtu çdo interpretim që, sipas saj, do ta paraqiste UÇK-në si një ndërmarrje kriminale.
“Një gjykatë mund të përcaktojë përgjegjësi individuale. Por nuk mund ta rishkruajë si projekt kriminal luftën e një populli për liri. UÇK-ja ishte përgjigjja ndaj dhunës shtetërore serbe dhe themeli mbi të cilin u ndërtua liria e Kosovës”, ka theksuar ajo.
Në përfundim, Spiropali u ka bërë thirrje institucioneve të Shqipërisë dhe Kosovës që të reagojnë në mënyrë të përbashkët.
“Kuvendi i Shqipërisë dhe Kuvendi i Kosovës duhet të miratojnë menjëherë një rezolutë të përbashkët që mbron të vërtetën historike të luftës çlirimtare dhe kundërshton çdo përpjekje për fajësi të UÇK-së dhe të një populli të tërë”. /Albanianpost.com