Kica-Xhelili: LDK-ja nuk duhet të ndahet mes “atyre të kryetarit” dhe “gjashtë deputetëve”

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka reaguar për zhvillimet e fundit brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke thënë se nuk dëshiron që partia të ndahet në kampe mes “atyre të kryetarit” dhe “gjashtë deputetëve”.

Kica-Xhelili ka deklaruar se ka zgjedhur të mos flasë më herët për zhvillimet në parti, me arsyetimin se dallimet duhet të diskutohen fillimisht brenda LDK-së.

“Nuk dua një LDK të ndarë mes ‘atyre të kryetarit’ dhe ‘atyre të gjashtë deputetëve’”, ka shkruar ajo, duke shtuar se në politikë duhet të ketë hapësirë edhe për mospajtime.

“Në politikë duhet të dimë ta bëjmë dallimin mes mospajtimit dhe armiqësisë. Nëse LDK nuk është mjaftueshëm e fortë për të përballuar gjashtë vota ndryshe, atëherë problemi ynë është shumë më i madh se gjashtë vota”, është shprehur Kica-Xhelili.

Ajo ka folur edhe për kandidaturën e Bekim Sejdiut, për të cilin ka thënë se e konsideron profesionist dhe me integritet, pavarësisht mospajtimeve që janë krijuar rreth procesit.

Kica-Xhelili ka kritikuar gjithashtu mënyrën se si janë trajtuar afatet kushtetuese për konstituimin e Kuvendit. Ajo ka thënë se afati kushtetues ka përfunduar më 7 gusht, ndërsa më pas, sipas saj, Vetëvendosje ka ndërtuar një interpretim tjetër që e çonte afatin deri më 6 shtator.

Sipas deputetes së LDK-së, edhe ky afat tashmë është tejkaluar, ndërsa seanca është thirrur për 9 shtator.

“Këtu nuk kemi më vetëm një interpretim ‘elastik’ të Kushtetutës. Kemi diçka edhe më problematike: mosrespektimin madje edhe të kufirit që vetë e ke zgjedhur pasi ke tejkaluar kufirin kushtetues”, ka deklaruar ajo.

Kica-Xhelili ka theksuar se dallimet e saj me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, janë politike, institucionale dhe parimore, por sipas saj, kundërshtimi ndaj Kurtit nuk duhet të shndërrohet në arsye që Kosova të mbetet pa institucione. /tvsyrivision/

Read Previous

Infantino sfidon rivalët dhe skandalet, njofton se do të kandidojë përsëri për president të FIFA në vitin 2027

Read Next

Çfarë është testi PISA dhe si funksionon?