PISA, që nënkupton Programin për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve, është një vlerësim ndërkombëtar i organizuar nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), derisa rezultatet e testit të kryer në shtator të vitit 2025 do të prezantohen më 8 shtator.
PISA vlerëson se sa janë në gjendje nxënësit 15-vjeçar t’i përdorin njohuritë dhe aftësitë e tyre në shkencë, matematikë dhe lexim, veçanërisht në situata dhe probleme që lidhen me jetën e përditshme. Testimi zhvillohet çdo tre vjet dhe përfshin mbi 700 mijë nxënës nga rreth 80 vende të botës.
Rreth 7300 nxënës kosovarë iu nënshtruan testit
Kosova është pjesë e këtij programi ndërkombëtar, i cili mundëson krahasimin e performancës së nxënësve dhe sistemit arsimor të Kosovës me sistemet arsimore të vendeve të tjera. Në testin ndërkombëtar PISA 2025 në Kosovë morën pjesë rreth 7,300 nxënës 15-vjeçarë nga 239 shkolla të ndryshme.
Kur dalin rezultatet?
Rezultatet për PISA 2025 do të publikohen më 8 shtator 2026. Sipas OECD, raporti zyrtar do të tregojë se sa janë të përgatitur nxënësit 15-vjeçarë në shkencë dhe fusha të tjera në çdo shtet.
Çfarë mat PISA?
Testimi fokusohet kryesisht në tri fusha: shkencë, matematikë dhe lexim. Ndryshe nga provimet tradicionale shkollore, PISA nuk synon vetëm të vlerësojë nëse nxënësit i kanë mësuar përmendësh njohuritë. Testi mat se sa janë në gjendje t’i përdorin ato njohuri për të zgjidhur probleme dhe për t’u përballur me situata të ndryshme të jetës së përditshme.
Në fushën e shkencës, për shembull, nxënësit mund të përballen me pyetje që kërkojnë shpjegimin e dukurive të përditshme, interpretimin e të dhënave apo vlerësimin e besueshmërisë së informacionit shkencor.
Në matematikë dhe lexim, fokusi është po ashtu në zbatimin e njohurive dhe aftësive në situata praktike.
Si zhvillohet testi?
PISA zhvillohet në mënyrë të standardizuar dhe kryesisht përmes testimit digjital. Pyetjet mund të jenë me alternativa, por edhe me përgjigje të hapura.
Testimi është i përshtatur sipas nivelit të nxënësit, që do të thotë se pyetjet e ardhshme mund të varen nga përgjigjet e dhëna më herët.
Pjesë e procesit është edhe një pyetësor për nxënësit, përmes të cilit mblidhen të dhëna rreth përvojës së tyre në shkollë dhe faktorëve të ndryshëm që lidhen me procesin arsimor.
A duhet të përgatiten nxënësit për PISA?
PISA nuk është provim ku nxënësi merr notë individuale dhe për këtë arsye nuk kërkohet përgatitje në të njëjtën mënyrë si për një provim shkollor.
Qëllimi është të vlerësohet se si nxënësit përdorin njohuritë dhe aftësitë që tashmë i kanë për situata reale.
Për nxënësit që përfshihen në testim, këshilla kryesore është që të lexojnë me kujdes pyetjet, të përpiqen t’u përgjigjen të gjitha dhe të japin më të mirën e tyre.
A marrin nxënësit rezultate individuale?
Rezultatet e PISA-s nuk funksionojnë si rezultatet e një provimi të zakonshëm shkollor. Nxënësit nuk marrin një notë individuale që përcakton suksesin e tyre në shkollë.
Në vend të kësaj, të dhënat përdoren për të vlerësuar performancën e sistemit arsimor në tërësi.
Rezultatet i mundësojnë Kosovës të shohë se ku qëndrojnë nxënësit e saj në raport me nxënësit e vendeve të tjera, si dhe të identifikojë fushat ku sistemi arsimor ka nevojë për përmirësim.
Pse është i rëndësishëm PISA për Kosovën?
Pjesëmarrja në PISA i jep Kosovës mundësinë të ketë një pasqyrë më të gjerë për nivelin e aftësive të nxënësve dhe për mënyrën se si sistemi arsimor i përgatit ata për sfidat e jetës së përditshme.
Rezultatet mund të ndihmojnë institucionet përgjegjëse në identifikimin e dobësive dhe përparësive në arsim, si dhe në hartimin e politikave dhe masave për përmirësimin e cilësisë së arsimit.
Në këtë kuptim, PISA nuk është thjesht një test për nxënësit. Ai shërben si një instrument për të parë se sa efektiv është sistemi arsimor i Kosovës dhe se cilat janë fushat ku nevojiten ndërhyrje dhe investime të mëtejshme.
Cili ishte rezultati i Kosovës në testin PISA 2022?
Në testin PISA 2022, Kosova u rendit në pjesën e fundit globalisht, konkretisht në vendin e 74-t në matematikë, të 76-tin në lexim dhe të 77-tin në shkencë nga gjithsej 80 shtete pjesëmarrëse. Si faktorë ndikues të kësaj renditje atëherë u përmenden pasojat e pandemisë dhe sfidat në arsim. /RTKlive