Shqipëria përballet me 11 vatra aktive zjarri, situata problematike në Malin e Dajtit
Banka e Shqipërisë ka miratuar ndryshime në rregulloren “Për veprimtarinë valutore”, duke lehtësuar procedurat për kryerjen e transfertave dhe duke përshtatur kuadrin rregullator me zhvillimet e reja në fushën e pagesave digjitale.
Ndryshimi kryesor lidhet me heqjen e kërkesës për paraqitjen e dokumentacionit specifik justifikues për transfertat korrente ndërmjet rezidentëve dhe jorezidentëve.
Kjo do të thotë se qytetarët dhe bizneset do të kenë një procedurë më të thjeshtë për kryerjen e këtyre transfertave, pa detyrimin për të paraqitur dokumentacionin specifik që kërkohej deri më tani, duke respektuar ndërkohë kërkesat e tjera ligjore.
Vendimi synon të lehtësojë procesin e transfertave dhe ta përshtatë atë me zhvillimin e pagesave elektronike.
Ndryshimet lidhen edhe me zhvillimet në sistemin e pagesave, përfshirë SEPA-n, Open Banking dhe pagesat e menjëhershme.
Kontrollet kundër pastrimit të parave vijojnë
Heqja e dokumentacionit specifik justifikues nuk do të thotë se transfertat do të kryhen pa kontrolle.
Subjektet që i nënshtrohen rregullores do të vazhdojnë të zbatojnë detyrimet e përcaktuara nga legjislacioni në fuqi për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Pra, lehtësimi i procedurës administrative nuk prek detyrimet ligjore që lidhen me kontrollin dhe sigurinë e transaksioneve.
Ndryshojnë edhe përkufizimet “rezident” dhe “jorezident”
Një tjetër ndryshim i miratuar nga Këshilli Mbikëqyrës lidhet me përkufizimet e termave “rezident” dhe “jorezident”, të cilat do të harmonizohen me standardet ndërkombëtare.
Për këtë qëllim do të zbatohet parimi i rezidencës ekonomike, duke e përshtatur kuadrin rregullator shqiptar me standardet ndërkombëtare në fushën e veprimtarisë valutore.
Në tërësi, ndryshimet synojnë thjeshtimin e procedurave për qytetarët dhe bizneset dhe përshtatjen e rregullave me transformimin digjital të sistemit të pagesave, duke ruajtur njëkohësisht detyrimet ligjore për kontrollin e transaksioneve. /Albanianpost.com