Qendra Emergjente e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka ofruar 992 shërbime mjekësore gjatë fundjavës, duke garantuar trajtim të vazhdueshëm për pacientët që kanë kërkuar ndihmë emergjente.
Sipas të dhënave të Emergjencës së QKUK-së, pacientët janë trajtuar në disa njësi të shërbimit. Gjatë kësaj periudhe janë realizuar 227 ndërhyrje në reanimim, 168 trajtime në Emergjencën Kirurgjike, 286 trajtime në Emergjencën Internistike, 200 trajtime në Emergjencën Ortopedike, si dhe 94 shërbime në Sallën e Vogël.
Në mesin e rasteve të trajtuara kanë qenë edhe pacientë me lëndime të ndryshme. Janë raportuar 6 raste të personave të rrahur, 5 raste të intoksikimeve, 75 persona të lënduar në aksidente komunikacioni, si dhe raste të lëndimeve me armë të ftohta.
Gjatë fundjavës janë realizuar edhe 85 pranime për trajtim të mëtejmë në klinikat përkatëse të QKUK-së. Sipas raportit zyrtar, nuk është regjistruar asnjë rast i vdekjes (exitus) gjatë kësaj periudhe.
Qendra Emergjente e QKUK-së vijon punën me kapacitete të plota, duke ofruar kujdes shëndetësor profesional dhe të pandërprerë për të gjithë pacientët që paraqiten për trajtim. /RTKlive