Trump: Duam një tjetër Kupë Bote, por pa Kanadanë dhe Meksikën
Shqipëria pritet të hyjë në zgjedhjet vendore të vitit 2027 me një hartë të re territoriale. Lajmin e konfirmoi bashkëkryetari i Komisionit të Reformës Territoriale, Arbjan Mazniku, i cili deklaroi se ulja e numrit të bashkive është tashmë një objektiv i reformës.
Në një intervistë për Klan News, Mazniku tha se modeli i ri po hartohet mbi analiza ekonomike dhe demografike, duke vlerësuar aftësinë e bashkive për të ofruar shërbime, si edhe faktorë socialë e kulturorë.
“Po, kjo është e sigurt. Në zgjedhjet e vitit 2027 do të ketë më pak bashki. Vendimin përfundimtar do ta marrë Kuvendi”, u shpreh ai.
Sipas Maznikut, më shumë se gjysma e bashkive në vend nuk arrijnë të ofrojnë as gjysmën e shërbimeve që u takojnë, ndërsa synimi i reformës është që ato të kthehen në motorë të zhvillimit ekonomik dhe jo vetëm në administrata që mirëmbajnë infrastrukturën.
Ai sqaroi se ende nuk është vendosur një numër përfundimtar i bashkive, duke përjashtuar mundësinë që të jetë përcaktuar shifra 30.
Mazniku bëri të ditur gjithashtu se ka bashki edhe në qarkun e Tiranës që nuk plotësojnë parametrat e funksionalitetit, masës urbane dhe performancës ekonomike.
Sipas tij, pas rishikimit të hartës territoriale, reforma do të vijojë me rishikimin e funksioneve të bashkive, reformën e financave vendore dhe krijimin e rajoneve si struktura bashkëpunimi mes njësive të pushtetit vendor.
Propozimet e Komisionit të Reformës Territoriale pritet të paraqiten më 23 korrik. /Albanianpost.com