Qendra Historike e Prishtinës regjistrohet në Gjeoportalin e Kosovës me kufijtë zyrtarë të zonës mbrojtëse

Kufijtë zyrtarë të perimetrit dhe zonës mbrojtëse të Qendrës Historike të Prishtinës janë regjistruar dhe tashmë janë të qasshëm në platformën Gjeoportali i Kosovës, pas një angazhimi të përbashkët të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, institucioneve të trashëgimisë kulturore dhe Agjencisë Kadastrale të Kosovës.

Sipas Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, ky zhvillim përbën një hap të rëndësishëm drejt forcimit të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore dhe integrimit të saj në proceset e planifikimit hapësinor dhe zhvillimit urban, përcjell KultPlus.

Qendra Historike e Prishtinës, aset i trashëgimisë kulturore në fushën e konservimit arkitekturor me numër unik 4790, është pjesë e Listës së Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme që nga viti 2020, ndërsa statusi i saj është konfirmuar edhe me vendimin e vitit 2025.

Publikimi i kufijve në Gjeoportal mundëson koordinim më të mirë ndërinstitucional, planifikim më të përgjegjshëm dhe vendimmarrje të bazuar në mbrojtjen dhe promovimin e vlerave të trashëgimisë kulturore.

Ministria bëri të ditur se procesi i publikimit të kufijve të perimetrit dhe zonave mbrojtëse do të vazhdojë edhe për asetet e tjera të trashëgimisë kulturore në Kosovë./KultPlus.com

Read Previous

Zbulohen pesë golat e shënuar nga distanca më e largët në Kupën e Botës 2026

Read Next

“Hotel 12” në Gjakovë zgjedhja ideale e familjes nga SHBA-ja