Komandanti i misionit të KFOR-it në Kosovë, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, priti në një takim zyrtar në selinë e misionit në Camp Film City, Prishtinë, Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, Feridun H. Sinirlioğlu.
Gjatë bisedës, të dy zyrtarët shkëmbyen vlerësime për situatën e sigurisë në Kosovë dhe zhvillimet në rajon. Ulutash theksoi se KFOR-i mbetet i përkushtuar për të garantuar një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët, duke vepruar në përputhje me mandatin e tij, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, në fokus të takimit ishin edhe prioritetet aktuale të misionit, si dhe rëndësia e bashkëpunimit të vazhdueshëm me organizatat dhe partnerët ndërkombëtarë për ruajtjen e stabilitetit.
KFOR-i ritheksoi se vazhdon të zbatojë mandatin e tij në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, me qëllim ruajtjen e sigurisë dhe garantimin e lirisë së lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë. Gjithashtu, u nënvizua se misioni vazhdon koordinimin e ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, në përputhje me përgjegjësitë përkatëse në fushën e sigurisë. /RTKlive