Artefaktet nënujore të Shqipërisë marrin mbrojtje nga shteti

Në mbledhjen e Qeverisë së Shqipërisë është miratuar vendimi “Për procedurën e shpalljes publike të pasurive kulturore që zbulohen në det”, një hap i rëndësishëm në forcimin e mbrojtjes dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore nënujore të Shqipërisë.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit i Shqipërisë, Blendi Gonxhja, në një postim në rrjetet sociale ka shkruar se “pozicioni i Shqipërisë përgjatë Adriatikut dhe Jonit dhe historia e saj e gjatë e veprimtarive detare e tregtare kanë lënë në hapësirën detare dëshmi me vlera të veçanta historike, arkeologjike, kulturore dhe shkencore”.

“Anije të mbytura dhe strukturat e tyre, gjurmë të strukturave portuale antike apo objekte arkeologjike të lidhura me rrjetet e dikurshme tregtare janë pjesë e një trashëgimie që dëshmon lidhjet e Shqipërisë me qytetërimet dhe rajonet e Mesdheut”, ka theksuar ministri Gonxhja.

Sipas tij, “me vendimin e miratuar, përcaktohet një procedurë e unifikuar për shpalljen publike të pasurive kulturore që zbulohen në det e liqene, pas përfundimit të proceseve të dokumentimit, verifikimit, vlerësimit, deklarimit dhe regjistrimit të tyre, në përputhje me legjislacionin në fuqi për trashëgiminë kulturore”.

Sipas tij, procedura forcon koordinimin midis institucioneve përgjegjëse dhe garanton që publiku të informohet mbi ekzistencën, rëndësinë historike, kulturore, arkeologjike apo shkencore të pasurive të zbuluara, duke respektuar në çdo rast parimin e mosrrezikimit të tyre.

Ka informuar se vendimi parashikon gjithashtu bashkëpunimin ndërinstitucional dhe, në rastet e pasurive me karakter ndërkufitar apo rëndësi ndërkombëtare, koordinimin me shtetet dhe organizmat ndërkombëtarë, në përputhje me angazhimet e Shqipërisë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore nënujore.

Për ministrin Gonxhja, miratimi i këtij vendimi është një tjetër hap për të njohur më mirë historinë shqiptare, për të mbrojtur gjurmët e saj dhe për t’ua përcjellë brezave të ardhshëm./koha.net

Read Previous

Ku po rritet më shumë popullsia, në vendet e BE-së?

Read Next

24 orët e fundit në rajonin e Gjakovës: Tre persona në mbajtje, arrestime për dhunë në familje, armëmbajtje pa leje dhe dëmtim të byzylykut elektronik