Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së ministres serbe për Pushtetin Lokal, Snežana Paunoviq, e cila tha se po të ishte në vendin e Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën.
Kamberi e ka cilësuar deklaratën të papranueshme dhe ka bërë të ditur se do të iniciojë kërkesë për shkarkimin e ministres nga detyra.
Sipas tij, nëse institucionet serbe nuk reagojnë ndaj kësaj deklarate, heshtja do të interpretohet si miratim i qëndrimit të saj dhe si pozicion i Qeverisë së Serbisë.
Deputeti shqiptar ka njoftuar gjithashtu se u është drejtuar me një shkresë zyrtare ambasadave ndërkombëtare në Beograd, duke kërkuar reagimin e tyre lidhur me deklaratën e ministres.
Kamberi ka vlerësuar se deklarata nuk është një rast i izoluar, por pasqyron, sipas tij, vazhdimësinë e mohimit të krimeve të luftës, glorifikimit të kriminelëve të luftës dhe revizionizmit historik në Serbi.
Ai ka shtuar se deklarata të tilla krijojnë pasiguri te komunitetet pakicë, veçanërisht te shqiptarët në Luginën e Preshevës, dhe bien ndesh me detyrimet që Serbia ka si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian për respektimin e të drejtave të njeriut dhe të pakicave.