Vetëm pak orë pasi presidenti amerikan, Donald Trump tha se po shqyrton mundësinë e shitjes së avionëve luftarakë F-35 Turqisë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u shpreh kundër kësaj lëvizjeje të mundshme, edhe pse minimizoi dallimet mes dy liderëve.
Në një intervistë për CNN, Netanyahu paralajmëroi se shitja e avionëve më të avancuar luftarakë të Amerikës “nuk e bën Turqinë një shtet mik të Shteteve të Bashkuara”. Si pjesë e një përplasjeje në rritje me presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan, Netanyahu e përshkroi Ankaranë si “një regjim të infektuar nga Vëllazëria Myslimane, e cila i urren Shtetet e Bashkuara”.
“Ai nuk është pikërisht modeli i një aleati të Shteteve të Bashkuara”, tha Netanyahu në CNN. “Ai kërcënon të shkatërrojë vendin tim, të vetmin shtet hebre”, u shpreh ai.
Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan tha në një intervistë për CNN Turk javën e kaluar se Izraeli “është bërë një barrë që njerëzimi nuk mund ta përballojë më”, duke nxitur ministrin e Jashtëm izraelit t’i dënojë këto deklarata si “nxitje klasike për gjenocid”.
“Kjo nuk është një forcë për paqe dhe stabilitet. Kur u jep atyre atë fuqi, do të shihni agresion si pasojë”, tha Netanyahu.
Netanyahu tha se i kishte kërkuar drejtpërdrejt Trumpit të mos i shiste avionët Turqisë, duke deklaruar të martën se një veprim i tillë “do të shkatërronte ekuilibrin e fuqisë në Lindjen e Mesme”.
Por Trump, i cili ndodhet në Turqi në kuadër të samitit të NATO-s, ka sinjalizuar se është i gatshëm të heqë ndalimin për shitjen e këtyre avionëve Ankarasë, të vendosur gjatë mandatit të tij të parë. Ai e përshkroi Turqinë si një aleate “të jashtëzakonshme” të Shteteve të Bashkuara.
Netanyahu minimizoi çdo përçarje me Trumpin, duke thënë se të dy “janë në një linjë” për çështjet kryesore, edhe pasi Trump deklaroi gjatë fundjavës se lideri izraelit “e di kush është shefi”.
“Ai është presidenti i Shteteve të Bashkuara. Ai bën atë që është e mirë për Shtetet e Bashkuara”, tha Netanyahu. “Unë jam kryeministër i Izraelit dhe bëj atë që është e rëndësishme për Izraelin, dhe në shumicën e rasteve këto gjëra janë të njëjta.”/Reporteri.net/