Mbrojtja ajrore e Ukrainës nuk arriti të rrëzojë asnjërën nga raketat balistike ruse të lëshuara ndaj saj gjatë natës deri të mërkurën, tha ushtria e vendit, ndërsa udhëheqësi i Ukrainës vazhdon t’u bëjë thirrje aleatëve që t’i furnizojnë vendit raketa interceptuese Patriot, shkruan CNN.
Sulmi gjatë natës përfshiu pesë raketa balistike, dy raketa kundër-radarike dhe 169 sulme me dronë, tha Forca Ajrore e Ukrainës – por, për herë të dytë këtë javë, asnjë nga raketat balistike nuk u interceptua. Në fillim të kësaj jave, 19 persona humbën jetën në kryeqytetin Kiev gjatë një sulmi të madh rus që përfshinte raketa balistike.
Ukraina ka pasur vështirësi të përballojë sulmet masive dhe vdekjeprurëse ajrore të Rusisë për shkak të mungesës së theksuar të raketave Patriot në Kiev – diçka që presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e ka theksuar në prag të samitit të sotëm të NATO-s në Ankara të Turqisë.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha të mërkurën se aleanca ka të ngjarë të dalë nga samiti me më shumë angazhime “shumëvjeçare” për mbështetjen e Ukrainës, e cila mbetet “jashtëzakonisht e rëndësishme”, tha ai./express