Haxhiu: Paqja ruhet me përgatitje, vigjilencë dhe aleanca të forta
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, ka lansuar dy skema të reja grantesh me vlerë totale mbi 1.5 milionë euro, të dedikuara për mbështetjen e inovacionit në sektorin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK) si dhe investimeve në energji të pastër për bizneset.
Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, tha se skema për inovacion synon të mbështesë ndërmarrjet mikro, të vogla, të mesme dhe bizneset start-up.
“Qëllimi i kësaj skeme është të mbështesë ndërmarrjet mikro, të vogla e të mesme si dhe bizneset start-up për zhvillimin e produkteve, shërbimeve ose proceseve inovative në sektorin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit”, deklaroi Kusari-Lila.
Ajo bëri të ditur se buxheti i kësaj skeme është 1.16 milion euro, ku 600 mijë euro financohen nga MINTI dhe 560 mijë euro nga LuxDev.
Sipas saj, 760 mijë euro janë ndarë për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, ndërsa 400 mijë euro për bizneset start-up. Kusari-Lila sqaroi se për ndërmarrjet ekzistuese granti mbulon deri në 50 për qind të kostos së projektit, ndërsa për start-up-et deri në 80 për qind.
“Projektet që financohen duhet të paraqesin inovacion në fushën e TIK-ut. Kjo përfshin zhvillimin e aplikacioneve softuerike, inteligjencën artificiale, sigurinë kibernetike, blockchain, analizën e të dhënave, automatizimin e proceseve, platformat e bashkëpunimit online, sistemet e menaxhimit të biznesit dhe teknologji të tjera moderne”, tha ajo.
Ajo shtoi se aplikimi do të bëhet vetëm përmes platformës e-Kosova, ndërsa pagesa e grantit do të realizohet në dy këste.
Nga ana tjetër, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, prezantoi skemën për energji të pastër me buxhet prej 380 mijë eurosh, e cila do të mbështesë investimet në sisteme solare, efiçiencë energjetike dhe pajisje që reduktojnë konsumin e energjisë.
“Përmes kësaj skeme, ndërmarrjet do të kenë mundësi të përfitojnë grante deri në 25.000 euro në total”, tha Rizvanolli.
Ajo shpjegoi se skema përfshin tri masa: mbështetjen për sisteme solare fotovoltaike dhe bateri, investime në efiçiencën energjetike të ndërtesave, si dhe blerjen e pajisjeve që rrisin efikasitetin energjetik të linjave të prodhimit.
Sipas Rizvanollit, përparësi në vlerësim do të kenë bizneset që operojnë në tregun e liberalizuar të energjisë.
“Një gjë tjetër e rëndësishme për t’u theksuar është se një përparësi në këtë skemë do ta kenë bizneset të cilat janë tashmë në treg të hapur të energjisë, pra nuk përfitojnë nga tarifat e rregulluara”, deklaroi ajo.
Ministrja theksoi se skema është e dedikuar vetëm për kompanitë prodhuese dhe përpunuese të regjistruara deri më 1 janar 2024, ndërsa thirrja publike do të hapet në ditët në vijim në platformën e-Kosova, me afat aplikimi prej 15 ditësh pune.
Ndërkaq, i ngarkuari me Punë i Dukatit të Madh të Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz, tha se LuxDev do të vazhdojë të mbështesë zhvillimin e sektorit privat.
“Do të mbështesim bizneset që të rriten, që të jenë më të qëndrueshme dhe më reziliente në treg”, tha Dietz, duke shtuar se investimet në energjinë e ripërtëritshme dhe inovacion janë një nxitje për rritjen e konkurrueshmërisë së bizneseve. /RTKlive