Lamine Yamal ka nisur që tani lojën psikologjike para El Clasicos së sezonit të ardhshëm, duke i dërguar një mesazh me humor, por edhe sfidues, shokut të tij te Kombëtarja e Spanjës, Marc Cucurella, i cili së fundmi u transferua nga Chelsea te Real Madridi.
Duke folur nga grumbullimi i Spanjës në Kupën e Botës 2026, 18-vjeçari i Barcelonës tregoi se tashmë ka bërë shaka me mbrojtësin për përballjet që i presin në La Liga. “I thashë se do ta nisë ndeshjen e parë si titullar dhe të dytën do ta fillojë nga stoli, sepse do ta ha të gjallë”, deklaroi Yamal.
Ylli i Barcelonës u ndal edhe te raportet me lojtarët e Real Madridit, duke kujtuar incidentin me Dani Carvajalin gjatë sezonit të kaluar. Pas kritikave që kishte bërë ndaj madrilenëve për ankesat rreth arbitrimit, Carvajal ishte përplasur me Yamalin në fund të një El Clasico.
“Jo, nuk pendohem. Është futboll. Ata fituan atë ndeshje, por më pas humbën në fushën tonë. Që atëherë nuk kam folur me Carvajalin dhe nuk flas me askënd nga Real Madridi”, u shpreh ai.
Yamal foli edhe për merkaton e Barcelonës, duke zbuluar se do ta mirëpriste transferimin e bashkëlojtarit të tij te Spanja, Mikel Oyarzabal. Ai vlerësoi gjithashtu cilësitë e Julian Alvarez, por theksoi se vendimet për afrimet i takojnë drejtorit sportiv, Deco.
“Jam tifoz i Oyarzabalit dhe më pëlqen shumë edhe Julian Alvarez. Por kjo është puna e Decos dhe ai po e bën shumë mirë. Ne do ta mbështesim këdo që vjen dhe do të jemi shumë të lumtur me të”, përfundoi Yamal. /KosovaPress/