Meksika shkruan histori në Botëror, fiton të gjitha ndeshjet e grupit

Meksika ka siguruar kualifikimin në fazën e eliminimit direkt të Kupës së Botës 2026 si fituese e Grupit A, pasi mposhti Republikën Çeke, me rezultat 3:0 në stadiumin legjendar “Azteca” në Mexico City.

Skuadra e drejtuar nga Javier Aguirre realizoi një sukses historik, duke fituar të tria ndeshjet e fazës së grupeve për herë të parë në historinë e paraqitjeve të saj në Kampionatet Botërore.

Pas një pjese të parë pa gola, Mateo Chávez zhbllokoi rezultatin në minutën e 55-të, ndërsa vetëm gjashtë minuta më vonë Julián Quiñones dyfishoi epërsinë. Fitoren e vulosi Álvaro Fidalgo me golin e shënuar në kohën shtesë.

“Është diçka shumë e bukur, një moment që do ta mbaj mend gjithë jetën”, tha Chávez pas ndeshjes, duke komentuar golin e tij të parë në një Kupë Bote.

Përzgjedhësi Aguirre vlerësoi paraqitjen e ekipit, por theksoi se sfidat më të mëdha e presin Meksikën në fazën me eliminim direkt.

“Tani fillon faza ku statistikat nuk kanë më rëndësi. Kemi arritur gjëra të mira, por ajo që vjen më pas është më e rëndësishmja”, deklaroi ai.

Ndeshja solli edhe dy momente të veçanta për futbollin meksikan. Gilberto Mora, vetëm 17 vjeç, u bë lojtari më i ri që ka startuar ndonjëherë për Meksikën në një Kupë Bote, ndërsa portieri legjendar Guillermo Ochoa hyri në lojë në minutën e 77-të, duke u bërë një nga vetëm tre futbollistët në histori që kanë luajtur në gjashtë Kampionate Botërore, krahas Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos.

Ndërkohë, Republika Çeke e mbylli garën në vendin e fundit të grupit me vetëm një pikë nga tri ndeshje, ndërsa Meksika pret tashmë kundërshtarin e saj në fazën e 1/16-ës. /RTKlive

Read Previous

MINTI trajton mbi 1.5 mijë ankesa nga qytetarët, shumica për njehsorët

Read Next

Trump vlerëson Zelenskyn: Po ia del mjaft mirë, po i reziston luftës me Rusinë