Rice për Kane: Paraqitjet dhe golat e tij nuk më befasojnë aspak

Credit: Getty Images

Declan Rice ka shprehur admirimin e tij për kapitenin e Anglisë, Harry Kane, duke e cilësuar atë si një nga futbollistët më të mëdhenj në historinë e përfaqësueses angleze.

Mesfushori i Anglisë, i cili pritet të regjistrojë paraqitjen e 75-të me fanellën e “Tre Luanëve” në ndeshjen ndaj Ganës në Kupën e Botës 2026, tha se ndihet i privilegjuar që luan përkrah sulmuesit të Bayern Munichut.

“Për mua, ai është një nga ata lojtarë për të cilët një ditë do t’u tregoj nipërve të mi se kam luajtur përkrah tij. Aq i mirë është ai”, ka deklaruar Rice.

Nën drejtimin e trajnerit Thomas Tuchel, Rice është emëruar zëvendëskapiten i Anglisë, menjëherë pas Kane, dhe ka vlerësuar ndikimin e madh që sulmuesi ka pasur te kombëtarja angleze.

“Ai është kapiteni ynë dhe udhëheq me shembull. Paraqitjet dhe golat e tij nuk më befasojnë aspak, sepse e sheh të njëjtën gjë në stërvitje, te Bayern Munichu dhe te Anglia”, shtoi mesfushori.

Kane ka qenë figura kryesore e Anglisë në vitet e fundit, duke e udhëhequr skuadrën drejt dy finaleve radhazi të Kampionatit Evropian. Botërori 2026 konsiderohet si mundësia e fundit e tij për të fituar trofeun më të madh me kombëtaren, pasi këtë verë mbush 33 vjet.

Anglia e nisi me fitore bindëse aventurën në Grupin L, duke mposhtur Kroacinë me rezultat 4:2. Një sukses ndaj Ganës do t’i siguronte praktikisht kualifikimin në fazën eliminatore dhe do ta afronte me vendin e parë në grup. /RTKLive

Read Previous

Rama për FT: Nuk jam kumbara i projektit në Zvërnec

Read Next

Elizabeth Blackwell, ​gruaja e parë mjeke në SHBA