SpaceX kalon Amazon në vlerë tregu, pas rritjes së fortë të aksioneve
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit i Shqipërisë, Blendi Gonxhja, e ka cilësuar kulturën si një nga historitë më të bukura të suksesit në vend, duke iu referuar shifrave gjithnjë në rritje të vizitorëve në lokalitetet e trashëgimisë kulturore.
Ministri Gonxhja ka thënë se prej janarit deri në maj të këtij viti, institucionet dhe qendrat e trashëgimisë kulturore kanë mirëpritur 424 mijë e 82 vizitorë vendas dhe të huaj. Prej tyre, 143 mijë e 86 vizitorë u regjistruan në muzetë kombëtarë, 188 mijë e 437 persona vizituan parqet arkeologjike dhe 91 mijë e 559 vizitorë u regjistruan në kala dhe monumente të kulturës.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023, vizitueshmëria është rritur me 95,7 për qind “ndërsa të ardhurat e gjeneruara kanë shënuar një rritje spektakolare prej 147,44 për qind”.
Krahasuar me vitin e shkuar vizitueshmëria u rrit me 9,9 për qind dhe të ardhurat u rritën me 7,3 për qind.
“Trashëgimia jonë nuk është thjesht histori, ajo është energji, krenari kombëtare dhe një magnet që tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë nga vendi dhe e gjithë bota”, citohet të ketë thënë ministri i Kulturës Gonxhja.
Qeveria e Shqipërisë ka vite që ka fuqizuar turizmin kulturor dhe në baza mujore bën publike shifrat e vizitave në monumente dhe në lokalitetet arkeologjike. Sipas të dhënave të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, për vitin e kaluar shifra kryesore e investimeve në kulturë dhe trashëgimi kulturore në Shqipëri është mbi 17 milionë euro investime. Rreth 4.7 milionë euro janë ndarë për Programin Kombëtar të Granteve për Kulturën dhe Krijimtarinë, rreth 5.7 milionë euro për aktivitete kulturore, promovim të trashëgimisë, turizëm kulturor, folklor dhe tradita, rreth 11.3 milionë euro për trashëgiminë kulturore dhe muzetë, duke përfshirë restaurime monumentesh dhe të muzeve. Sipas raportimeve të mediave në Shqipëri, në vitin 2025, turizmi kulturor në Shqipëri arriti rekord me mbi 1.5 milionë vizitorë. Destinacioni më i vizituar ishte Kalaja e Gjirokastrës me mbi 307 mijë vizitorë, e ndjekur nga Parku Kombëtar i Butrintit me 295 mijë vizitorë, Muzeu Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Krujë me 182 mijë vizitorë dhe Kalaja e Rozafës në Shkodër me rreth 179 mijë vizitorë. /Koha.net/