Malaj: Shqipëria, lider në rajon për rritjen dhe qëndrueshmërinë ekonomike

Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi sot se Shqipëria vijon të ruajë pozicionin e saj si një nga ekonomitë më të qëndrueshme në rajon, duke kombinuar rritjen ekonomike me nivelin më të ulët të inflacionit në Ballkanin Perëndimor.

Përmes një reagimi publik, Malaj iu referua të dhënave të fundit të inflacionit të harmonizuar sipas Eurostat për muajin prill 2026, sipas të cilave Shqipëria regjistroi normën 2,8%, më të ulëtën ndër vendet e rajonit.

Sipas grafikës së publikuar nga Ministria e Financave, inflacioni në Shqipëri rezulton më i ulët krahasuar me Serbinë që e kishte 3,6%, Malin e Zi me 3,6%, Bashkimin Europian me 3,2%, Maqedoninë e Veriut me 5,7%, Bosnjë Hercegovinën me 6,8% dhe Kosovën me 7,5%.

Ministri Malaj theksoi se vlerësimi i performancës ekonomike nuk mund të mbështetet vetëm te një tregues i izoluar, por duhet të analizohet në tërësinë e faktorëve që ndikojnë mirëqenien ekonomike të qytetarëve dhe biznesit.

Në këtë kontekst, ai nënvizoi se ekonomia shqiptare shënoi rritje prej 3,4% gjatë periudhës së fundit, ndërkohë që ka arritur të mbajë nën kontroll presionet inflacioniste, një kombinim që konsiderohet tregues i rëndësishëm i stabilitetit makroekonomik.

“Inflacioni i ulët përkthehet në ruajtje të fuqisë blerëse të qytetarëve, kosto më të parashikueshme për bizneset dhe një mjedis më të favorshëm për investimet”, theksoi Malaj.

Ai vuri në dukje se zhvillimet ekonomike në vendet e rajonit janë të ndërlidhura dhe se rritja e ekonomive fqinje kontribuon në forcimin e stabilitetit ekonomik të gjithë Ballkanit Perëndimor.

“Ekonomia nuk është një ishull i izoluar me ndikim lokal, në kohët kur shkëmbimi tregtar, volumet e prodhimit, prioritetet zhvillimore, janë të gjitha çështje rajonale. Zhvillimi ekonomik i Kosovës apo dhe fqinjëve të tjerë, është në dobi të drejtpërdrejtë të qëndrueshmërisë ekonomike të rajonit, në interes të çdo qytetari. Por përdorimi i fakteve ekonomike të qarta si drita e diellit, si propagandë kundër qeverisë dhe Shqipërisë, e cila ndodhet në momentin më solid e më të mirë, e thënë kjo nga institucionet ndërkombëtare, në rastin më të thjesht është veprim i ulët e antishqiptar”, u shpreh ai.

Sipas ministrit, institucionet financiare ndërkombëtare kanë vlerësuar pozitivisht performancën e ekonomisë shqiptare, e cila po mbështetet nga rritja e investimeve, zgjerimi i sektorit të turizmit, konsumi i brendshëm dhe përmirësimi i treguesve fiskalë.

Të dhënat e fundit konfirmojnë se Shqipëria vazhdon të ruajë ekuilibrat makroekonomikë në një mjedis rajonal dhe europian ende të karakterizuar nga pasiguri dhe presione inflacioniste, duke u renditur ndër ekonomitë me performancën më të qëndrueshme në rajon. /ATSH/

Read Previous

BBC do të shkurtojë qindra vende pune në sektorin e lajmeve