Shqipëria me strategji të re për mbrojtjen e fëmijëve

Credit: davit85 – stock.adobe.com Copyright: David Tadevosian photography

Në Ditën Botërore të Fëmijëve, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, në bashkëpunim me partnerë kombëtarë dhe ndërkombëtarë, ka zbuluar Agjendën Kombëtare për të Drejtat e Fëmijëve 2027-2030, një dokument strategjik që synon forcimin e sistemit të mbrojtjes dhe fuqizimin e të drejtave të çdo fëmije në Shqipëri.

Gjatë aktivitetit të organizuar me këtë rast, ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, theksoi nevojën për një qasje gjithëpërfshirëse ndaj fëmijërisë, me fokus sigurinë, mirëqenien dhe zhvillimin e shëndetshëm të fëmijëve.

“Asnjë fëmijë nuk duhet të rritet me frikë. Asnjë fëmijë nuk duhet të ndihet i përjashtuar. Dhe asnjë fëmijë nuk duhet të mbetet pas. Prandaj sot lançojmë Agjendën Kombëtare për Fëmijët 2027-2030 jo thjesht si një dokument, por si një premtim që do të bëjmë më shumë për mbrojtjen e fëmijëve, shëndetin e tyre mendor, sigurinë online dhe për një Shqipëri ku çdo fëmijë ka mundësi të ëndërrojë dhe të ecë përpara”, tha Sala.

Me sloganin “Fëmijë të sigurt, të mbrojtur, të dëgjuar”, agjenda synon të vendosë në qendër nevojat dhe pjesëmarrjen aktive të fëmijëve, duke forcuar edukimin socio-shëndetësor dhe promovimin e një jetese të shëndetshme.

Dokumenti vë theksin te bashkëpunimi ndërmjet institucioneve publike, organizatave të shoqërisë civile dhe komunitetit për krijimin e mjediseve të sigurta dhe gjithëpërfshirëse për fëmijët.

Agjenda synon gjithashtu të garantojë mbrojtjen e fëmijëve nga çdo formë dhune, abuzimi, bullizmi, diskriminimi dhe shfrytëzimi, si në jetën e përditshme ashtu edhe në mjedisin digjital.

Ndërkohë, politikat për përkujdesjen ndaj fëmijëve vijojnë të zbatohen përmes programeve kombëtare. Gjatë periudhës janar-mars 2026, 19 mijë e 218 fëmijë kanë përfituar nga programi i kontrollit të shikimit, ndërsa 94 mijë e 782 fëmijë nga programi i kujdesit dentar.

Po ashtu, 2 mijë e 940 vajza dhe 1 mijë e 343 djem kanë përfituar vaksinën HPV.

Sipas të dhënave të prezantuara, gjatë tre muajve të parë të vitit, 138 fëmijë kanë marrë këshillim përmes Linjës Kombëtare ALO 116-111, ndërsa 20 raste janë referuar për trajtim të mëtejshëm.

Në kuadër të procesit të deinstitucionalizimit, numri i fëmijëve që jetojnë në institucione rezidenciale publike ka rënë nga 246 në vitin 2021 në 199 në fund të vitit 2025, duke reflektuar zgjerimin e shërbimeve alternative dhe forcimin e mekanizmave të parandalimit. /Albanianpost.com

Read Previous

Uzuni: Fillon epokë e re me Maran, sulmuesit shënojnë shumë gola me të

Read Next

Ballkani Perëndimor një hap larg roaming-ut falas në BE