Rinis seanca, Haxhiu i bën thirrje opozitës të marrë pjesë në votim

Në nisje të seancës për zgjedhjen e presidentit, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, u ka bërë sërish thirrje deputetëve të opozitës që të jenë të pranishëm në sallë dhe të marrin pjesë në votim, duke u bazuar në detyrimet për pjesëmarrje në punimet e Kuvendit nga aktgjykime të ndryshme dhe sipas Ligjit për Deputetët.

Sipas këtij ligji, deputetët kanë obligim të marrin pjesë në seanca dhe të njoftojnë Kryetarin e Kuvendit për mungesat e tyre.

“I lus ata që të vijnë në këtë seancë, ku si pikë e rendit të ditës është zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës”, tha Haxhiu.

Haxhiu tha se e vetmja deputete që ka marrë leje për të mos qenë e pranishme sot është Afërdita Hajrizi, nga grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, e cila mungon për arsye shëndetësore.

Megjithatë, Gjykata Kushtetuese kishte sqaruar më 2016, në rastin e zgjedhjes së ish-presidentit Hashim Thaçi, se nuk është kriter kushtetues që të gjithë 120 deputetët të jenë të pranishëm dhe të votojnë për zgjedhjen e presidentit, por mjafton përmbushja e shumicës së përcaktuar në Kushtetutë prej 80 deputetësh. /Radio Evropa e Lirë/

Read Previous

Hamza: Nuk mund të ecet përpara duke shkelur Kushtetutën dhe ligjet

Read Next

Seanca për presidentin shtyhet sërish