Nga Ksamili te Alpet, “Skyscanner” promovon Shqipërinë si destinacionin më ekonomik për pushime
Secili raport ditor i Policisë së Kosovës po vazhdon të jetë i mbushur me raste të dhunës në familje, duke e kthyer këtë si shqetësim serioze për shoqërinë kosovare. Rastet e fundit të raportuara nga Policia dëshmojnë për përmasat e kësaj dukurie.
Në Prishtinë, më 19 prill 2026 rreth orës 20:15, është raportuar se një i dyshuar kishte ushtruar dhunë fizike ndaj një viktime femër. Viktima pas intervistimit është kthyer në banesën e saj, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Po atë ditë në Pejë, rreth orës 19:30, është raportuar se një i dyshuar i ka shkaktuar dhunë psikike dhe fizike një viktime femër kosovare. Rasti është duke u hetuar.
Ndërkohë në Gjakovë, më 18 prill 2026 rreth orës 16:00, policia ka arrestuar një të qytetar nën dyshimin se ka ushtruar dhunë ndaj një viktime femër. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Edhe në Malishevë, më 14 prill 2026, është arrestuar një i dyshuar mashkull kosovar nën dyshimin se ka shkaktuar dhunë ndaj një viktime mashkull kosovar. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit rasti ka shkuar në procedurë të rregullt.
Në Rahovec, më 19 prill 2026 rreth orës 18:30, pas një mosmarrëveshje në familje janë rrahur mes vete dy të dyshuar, ku si pasojë lëndime trupore ka pësuar njëri prej tyre. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit njëri nga të dyshuarit është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.
Në Leposaviq, më 19 prill 2026 rreth orës 21:30, është raportuar se një i dyshuar kishte ushtruar dhunë fizike ndaj një viktime femër kosovare. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa policia ka arrestuar të dyshuarin dhe me vendim të prokurorit ai është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Përveç rasteve të dhunës në familje, raportet policore kanë evidentuar edhe raste të tjera të dhunës.
Në Prishtinë, në rrugën “Muhamet Qami”, më 19 prill 2026 rreth orës 22:10, është raportuar se një viktimë mashkull kosovar është sulmuar nga dy persona të dyshuar që ndodhen në arrati dhe është therur me thikë. Viktima është dërguar për tretman mjekësor në QKUK dhe më pas është liruar në shtëpi. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe është duke e hetuar rastin.
Po ashtu në Prishtinë, në rrugën “Lidhja e Pejës”, më 19 prill 2026 rreth orës 07:10, është arrestuar një i dyshuar mashkull kosovar pasi dyshohet se ka sulmuar fizikisht një viktimë mashkull kosovar. Viktima ka marrë tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Në Pejë, në rrugën “Mbretëresha Teutë”, më 19 prill 2026 rreth orës 13:10, është arrestuar një i dyshuar mashkull kosovar pasi pas një mosmarrëveshje dyshohet se e ka sulmuar fizikisht një viktimë mashkull kosovar dhe ka ofenduar e kërcënuar verbalisht viktimën, si dhe një zyrtar policor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Autoritetet e rendit theksojnë se dhuna në familje mbetet një sfidë serioze dhe apelojnë për ndërgjegjësim qytetar, respektim të ligjit dhe raportim të çdo incidenti, me qëllim parandalimin e eskalimit të mëtejshëm të rasteve.
Sipas të dhënave statistikore, dhuna në familje në Kosovë po shënon rritje alarmante. Vetëm nga janari deri në tetor të vitit 2025 janë raportuar mbi 2 mijë e 400 raste, ku shumica dërrmuese e viktimave janë femra. Ndërkaq, gjatë periudhës 2023–2025 janë raportuar mbi 8 mijë raste të dhunës në familje. /RTKLive