Nga Ksamili te Alpet, “Skyscanner” promovon Shqipërinë si destinacionin më ekonomik për pushime
Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka bëre të ditur se një delegacion i nivelit të lartë i BQK-së, i kryesuar nga Guvernatori Ahmet Ismaili, po merr pjesë në Takimet Pranverore 2026 të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore që po mbahen në Uashington, DC.
Në delegacion marrin pjesë edhe anëtarja joekzekutive e Bordit, Latifi-Jashari, si dhe Zëvendësguvernatori Fusha, së bashku me bashkëpunëtorë të institucionit.
Sipas njoftimit të BQK-së, gjatë takimeve me përfaqësues të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore fokusi kryesor do të jetë te zhvillimet më të fundit makroekonomike, perspektiva ekonomike në kontekstin e rrethanave aktuale globale dhe implikimet për stabilitetin financiar.
“Në kuadër të këtyre takimeve, përfaqësuesit e BQK-së do të zhvillojnë takime me drejtues dhe zyrtarë të lartë të FMN-së dhe Bankës Botërore, me fokus në zhvillimet më të fundit makroekonomike dhe financiare, perspektivën ekonomike në kontekstin e rrethanave aktuale globale, si dhe implikimet për stabilitetin financiar dhe politikëbërjen”, thuhet në njoftimin e BQK-së.
Gjatë agjendës së Takimeve Pranverore, që zhvillohen nga 13 deri më 18 prill, Guvernatori Ismaili do të prezantojë zhvillimet kryesore në sektorin financiar të Kosovës, prioritetet institucionale të BQK-së, si dhe progresin në zbatimin e reformave.
“Në kuadër të kësaj vizite zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, delegacioni i BQK-së do të zhvillojë gjithashtu takime bilaterale me drejtues të Thesarit Amerikan, IFC-së, si dhe me institucione financiare partnere”.
Delegacioni do të marrë pjesë po ashtu në aktivitete dhe takime bilaterale që organizohen në kuadër të Takimeve Pranverore.
Takimet Pranverore të FMN-së dhe Bankës Botërore mbledhin së bashku guvernatorë të bankave qendrore, ministra të financave dhe zhvillimit, parlamentarë, drejtues të sektorit privat, përfaqësues të shoqërisë civile dhe akademikë, për të diskutuar çështje me rëndësi globale, përfshirë perspektivën ekonomike botërore, zhvillimin ekonomik, reduktimin e varfërisë dhe forcimin e qëndrueshmërisë ekonomike. /Albanianpost.com