Nis subvencionimi i energjisë për familjet e cenueshme

Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare ka bërë të ditur se nga e enjtja do të nisë subvencionimi për energjinë elektrike për qytetarët që kanë plotësuar kriteret dhe nuk kanë përfituar subvencionim për muajt dhjetor dhe janar.

Po ashtu, ky dikaster ka bërë të ditur se subvencionim do të ketë edhe për të gjithë përfituesit për muajin shkurt, të cilët do të mund të përfitojnë mbështetje drejtpërdrejt në faturat e tyre, në kuadër të Programit për Subvencionimin e Energjisë Elektrike për Familjet e Cenueshme.

“Ky program ka për qëllim të ofrojë lehtësim në shpenzimet për energjinë elektrike për familjet më në nevojë, në mënyrë që familjet e cenueshme të mund të përballojnë më lehtë kostot e konsumit të energjisë”, thuhet në komunikatën e ministrisë.

Qeveria kishte marrë vendim në tetor të vitit 2025 për riaktivizimin e programit për subvencionimin e faturave të energjisë elektrike për familjet e cenueshme për periudhën, me qëllim mbështetjen e kategorive në nevojë përballë rritjes së kostos së energjisë, veçanërisht gjatë sezonit të dimrit.

Programi parasheh ofrimin e mbështetjes financiare direkte në faturat e energjisë për familjet që janë pjesë e skemave sociale dhe pensionale, ndërsa aplikimi realizohet përmes platformës eKosova.

Sipas këtij vendimi, qytetarët që nuk kanë përfituar subvencionet për muajt dhjetor dhe janar pritet t’i marrin ato në faturat pasuese, përfshirë edhe muajin shkurt. /Albanianpost.com

Read Previous

SHBA shqyrton vendosjen e trupave pranë Ngushticës së Hormuzit

Read Next

Kurti për stërvitjet afër kufirit: Koha e fundit që bota ta ndëshkojë Serbinë për qasjen destabilizuese