Arrestohen katër persona për mashtrim mbi 1.5 milion euro

Katër persona në Prishtinë janë arrestuar për mashtrim dhe falsifikim dokumentesh, me dëme të dyshuara mbi 1.5 milion euro. Gjykata ka caktuar 30 ditë paraburgim, ndërsa pronat e dyshuara janë vendosur nën urdhër ndalues për siguri.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, ka arrestuar katër persona me inicialet M.M., S.B., D.R. dhe B.Z., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Mashtrimi në bashkëkryerje” nga neni 323, paragrafi 4 lidhur me paragrafët 1 dhe 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Prokuroria ka njoftuar se i dyshuari M.M. dyshohet gjithashtu për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve” nga neni 390, paragrafi 2 lidhur me paragrafi 1 të KPRK-së, ndërsa i dyshuari D.R. dyshohet për veprën penale “Legalizim i përmbajtjes së rreme” nga neni 395, paragrafët 1 dhe 2 të KPRK-së.

“Sipas dyshimeve, pandehurit, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, duke fshehur faktet relevante dhe duke e vënë në lajthim të dëmtuarin H.M., në bashkëkryerje i kanë shkaktuar dëmtuarit dëm material në vlerë prej 1,578,180.00 euro,” thuhet në njoftim.

Gjithashtu, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë urdhër ndalues të përkohshëm për parcelat përkatëse, pasi ekziston dyshimi i bazuar se prona është shitur mbi bazën e dokumenteve të falsifikuara dhe është transferuar në mënyrë të kundërligjshme. Njëkohësisht, nga Gjykata është kërkuar lëshimi i urdhërit ndalues përfundimtar për këto parcela, me qëllim të sigurimit të pronës deri në përfundim të procedurës penale.

Ndërkaq, Gjykata kompetente ka caktuar për të pandehurit M.M., S.B., D.R. dhe B.Z. masën e paraburgimit për një kohëzgjatje prej 30 (tridhjetë) ditësh. /RTKlive

Read Previous

Spiropali: Shqipëria rikonfirmon mbështetjen e saj të vendosur për Ukrainën

Read Next

Ambasadori francez: Zgjedhja e presidentit, përgjegjësi e partive politike në Kosovë