Specialja ia heq kufizimet e vizitave tek Thaçi një personi, i lë në fuqi për 10 të tjerët
Banka e Shqipërisë është në fazën përfundimtare të përgatitjes së ligjit të ri për bankat, i cili synon përafrimin e plotë me standardet dhe direktivat e Bashkimit Evropian, forcimin e stabilitetit financiar dhe rritjen e mbrojtjes së konsumatorit.
Drejtoresha e Komunikimit në Bankën e Shqipërisë, Erinda Çaushi, në një prononcim për ATSH-në, bëri të ditur se ligji i ri konsiderohet i domosdoshëm në kuadër të procesit të integrimit europian dhe zhvillimeve që ka përjetuar sektori bankar vitet e fundit. Ajo theksoi se kuadri aktual ligjor daton në vitin 2006 dhe, megjithëse është përditësuar ndër vite, kërkon tashmë një harmonizim të plotë me rregulloret më të fundit të BE-së, përfshirë CRD VI dhe CRR 3.
Sipas saj, projektligji sjell risi në strukturimin e kërkesave për qeverisjen e bankave, forcimin e rolit dhe përgjegjësive të organeve drejtuese, përmirësimin e kuadrit për menaxhimin e rrezikut dhe kontrollin e brendshëm, si dhe zgjerimin e instrumenteve mbikëqyrëse të Bankës së Shqipërisë.
Një element i rëndësishëm i ligjit të ri është edhe adresimi i zhvillimeve në digjitalizimin bankar, përfshirë bankat digjitale dhe institucionet fintech, me kërkesa të posaçme për menaxhimin e rrezikut operacional dhe atij kibernetik.
Drafti ndodhet aktualisht në fazë diskutimesh teknike, ndërsa synimi është që ligji të miratohet brenda vitit 2027. /ATSH/