Tri raste të vjedhjeve të rënda janë raportuar në ditët e fundit në komuna të ndryshme të Kosovës, duke shkaktuar dëme materiale dhe shqetësim tek qytetarët. Policia e Kosovës ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, të cilët në të gjitha rastet mbeten ende të panjohur.
Rasti i parë është raportuar në fshatin Paralovë të Novobërdës, për periudhën 1 deri më 10 shkurt 2026. Sipas njoftimit, persona të panjohur kanë depërtuar në një objekt, prej nga kanë vjedhur disa pajisje kuzhine. Rasti është iniciuar si “vjedhje e rëndë” dhe po hetohet nga organet kompetente.
Dy raste të tjera janë shënuar në Mitrovicë. Më 9 shkurt, rreth orës 03:47, është raportuar se nga një objekt janë vjedhur kabllo elektrike dhe vegla pune. Njësitë përkatëse policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore.
Ndërkaq, më 10 shkurt, po ashtu në Mitrovicë, persona të dyshuar kanë dëmtuar një trafo të rrymës dhe kanë vjedhur kabllo elektrike. Përveç dëmit material, raste të tilla rrezikojnë edhe furnizimin me energji elektrike dhe sigurinë publike. Edhe ky rast është duke u trajtuar si vjedhje e rëndë dhe mbetet nën hetim.
Kujtojmë se në vitin 2025, bazuar në statistikat e Policisë së Kosovës, janë regjistruar 2027 raste të vjedhjeve të rënda në gjithë territorin e Kosovës, ndërsa janë evidentuar 62 raste të grabitjeve.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës dhe të raportojnë çdo informacion që mund të ndihmojë në zbardhjen e vjedhjeve. /RTKLive