Nga Ksamili te Alpet, “Skyscanner” promovon Shqipërinë si destinacionin më ekonomik për pushime
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj bëri të ditur sot se eksportet gjatë periudhës janar-shtator 2025 janë rritur me 6,26%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ibrahimaj tha se, “javën e fundit që prej publikimit të shifrave të INSTAT për tregtinë jashtme, aritmetika opozitare ka paraqitur një skemë jo të drejtë dhe jo reale të asaj që në fakt ndodh në ekonomi”.
Ministrja Ibrahimaj u shpreh se “84,8% e eksporteve janë eksporte të shërbimeve. Pesha më e madh e eksportit lidhet me shërbimet, që kryesisht janë eksporte të lidhura me turizmin dhe numrat e turistëve të huaj gjatë viteve të fundit, të cilat kanë ardhur duke u rritur dhe në vitin 2025 ishin mbi 12 milionë turistë të huaj që erdhën në Shqipëri”.
Sipas saj, eksportet e mallrave zënë 15,2% të totalit të eksporteve.
“Në total eksportet në ekonomi janë rritur me 6,26% përgjatë 9-mujorit të vitit 2025 sipas të dhënave të INSTAT dhe Bankave së Shqipërisë. Eksportet e mallrave kanë rënë me 12,6%, ndërkohë që eksportet e shërbimeve janë rritur me 10,53%”, tha Ibrahimaj.
Ajo tha se “duke qenë se pesha e eksporteve të shërbimeve është ndjeshëm më e madhe se pesha e eksporteve të mallrave, në total eksportet kanë rezultuar me një rritje pozitive prej 6,26%”.
Ministrja Ibrahimaj u shpreh se javën e fundit “llogaritarët e lajmeve të këqija” thanë se eksportet bujqësore kanë rënë gjatë vitit 2025, se eksporti i energjisë elektrike ka rënë gjatë vitit 2025 dhe folën gjithashtu për eksportet fason”.
Sa i përket eksporteve bujqësore, Ibrahimaj tha se “eksportet bujqësore në publikimet e INSTAT-it, janë brenda grupit “ushqim, pije, duhan”. Pra, grupi “ushqim, pije, duhan” për vitin 2025 ka pasur një rritje me 5%, pra eksporti i këtij grupi ka pasur një rritje me 5% në vlerë dhe një rritje me 7% në vëllim, që do të thotë që është një grup i cili po vijon të zhvillohet, po vijon të rritet”.
Ibrahimaj u shpreh se “sa i takon energjisë elektrike, për 12 muajt e parë të vitit, eksportet e energjisë elektrike janë rritur me 6,8%. Ky është një komponent i cili, në publikimin e INSTAT-it, është brenda grupit “minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike”.
Sa i takon eksporteve të grupit “tekstile dhe këpucë”, Ibrahimaj tha se “shifrat tregojnë se për vitin 2025 vlera totale e këtyre eksporteve ka qenë rreth 104 miliardë lekë. Ndërkohë që në vitin 2024 kjo vlerë ka qenë në total 105 miliardë lekë. Pra, është një rënie me rreth 1%. Kjo është rënia për të cilën bëhet fjalë”. /ATSH/