Ekstradohen nga Gjermania dhe Franca dy persona të kërkuar nga Kosova

Dy persona të kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar janë ekstraduar për në Kosovë, në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar policor.

Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitet relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë, më 23 dhjetor 2025 ka realizuar ekstradimin e dy shtetasve kosovarë, L.V. (1990) dhe A.M. (1991). Njëri prej tyre është ekstraduar nga Gjermania, ndërsa tjetri nga Franca.

Sipas njoftimit zyrtar, ekstradimi është bërë falë bashkëpunimit të ngushtë me autoritetet e këtyre dy shteteve. Të dyshuarit ishin arrestuar nga autoritetet gjermane dhe franceze, pasi kërkoheshin me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Republikës së Kosovës.
Të njëjtit dyshohen se kanë qenë të përfshirë në vepra penale të ndara dhe se i janë shmangur drejtësisë.

Pas ekstradimit, ata u janë dorëzuar njësive përkatëse të Policisë së Kosovës në rajonin e Prishtinës, përkatësisht atë të Gjilanit, për vazhdimin e procedurave të mëtejme ligjore. /KosovaPress/

Read Previous

Komandanti i FSK-së pret në takim Shefin e Shtabit të FARSH

Read Next

Mbi 720 mijë udhëtarë deri në nëntor në Portin e Durrësit