Në një stol mbi kodrën e Çabratit, qëndron e shikon varret e shumë martirëve e të rënëve që janë para syve të saj. Nënë Resmija që ka humbur dy bijtë gjatë luftës së fundit në Kosovë tregon se si me dhimbjen jeton çdo ditë, por kur afrohet data 10-të, për të është edhe më e vështirë.
Dhimbjen që e bartin mbi supe këta familjarë nuk e lehtësojnë as lotët e as kujtimet që kanë për më të dashurit. Nesrete Kumnova nga “Thirrjet e Nënave” thotë se i janë hargjuar fjalët duke kërkuar drejtësi për të birin e për të gjithë të tjerët, e pritja po bëhet çdo vit e më e rëndë.
Për 22 vite lotët nuk iu ndalën asnjëherë. Ndarja në mënyrë mizore nga njerëzit e zemrës, mbetet datë e kobshme që sjell kujtime të hidhura për gjithë familjarët.
Kujtojmë se me datat 7, 8, 9 dhe 10 maj të vitit 1999 janë rrëmbyer, ekzekutuar e masakruar shumë qytetarë të komunës së Gjakovës. Luftëtarë të Brigadës 137 Gjakova e qytetarë u bën bashkë atë kohë në Betejën e Çabratit për të mbrojtur nderin, e njëri-tjetrin kundër armikut ushtarakisht më të armatosur por asnjëherë më të guxishmëm se këta djem e vajza të komunës sonë.