“Viti 2025 shënon efikasitetin më të madh historik në sistemin gjyqësor në Kosovë”

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, në kuadër të punimeve të konferencës “Ditët e Gjyqësorit 2025”, prezantoi rezultatet më të larta të performancës që ka arritur ndonjëherë sistemi gjyqësor i Kosovës.

Zogaj theksoi se viti 2025 shënon efikasitetin më të madh historik, me rezultate të matshme në çdo nivel, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Gjykatat po zgjidhin më shumë lëndë sesa pranojnë, duke arritur efikasitet deri në 137% në Gjykatat Themelore; Është shënuar 61% rritje e lëndëve të zgjidhura krahasuar me vitin 2020; Backlog-u ka rënë ndjeshëm (backlog – lëndët e mbetura nga vitet e kaluara), duke stabilizuar punën e gjykatave; Është rritur efikasiteti në trajtimin e lëndëve të kundërvajtjes deri në 121%, duke mundësuar pastrim të ngarkesës së akumuluar ndër vite; Apeli dhe Komerciala kanë shënuar efikasitet të qëndrueshëm, duke reflektuar përmirësim në cilësi dhe ritëm të vendimmarrjes”, tha Zogaj.

Albet Zogaj, në fjalimin e tij në konferencën “Ditët e Gjyqësorit 2025”, tha se gjatë vitit 2025 gjyqësori ka realizuar shumicën e zotimeve të marra për reformën e drejtësisë.

Ai tha se këto zotime tashmë janë pjesë e pakos së ligjeve, duke e çuar procesin reformues në nivelin më të avancuar deri më sot.

“Ai nënvizoi se përmes dy letrave të zotimit me institucionet është bërë harmonizimi i ndryshimeve kryesore, ndërsa pakoja duhet t’i rikthehet Komisionit të Venecias për vlerësim final, në mënyrë që reforma të jetë plotësisht e përputhshme me standardet ndërkombëtare”, njofton Këshilli.

Zogaj ka thënë se sfida e mosrealizimit të kërkesave buxhetore nga Qeveria dhe Kuvendi ndër vite ka penguar zhvillimin e kapaciteteve të gjyqësorit.

Sipas tij, në 18 vitet e fundit, pjesa e buxhetit të Republikës së Kosovës që i është ndarë gjyqësorit nuk e ka kaluar asnjëherë 1.31%.

Ndërkaq, Zogaj theksoi se rënia në nivelin më të ulët historik është shënuar këtë vit, ku buxheti i ndarë për bujqësorin ishte vetëm 1% të buxhetit total të shtetit.

Në konferencën “Ditët e Gjyqësorit”, kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi tha se presionet publike ndaj gjyqtarëve, përfshirë reagimet nga figura të larta shtetërore, paraqesin një shqetësim serioz sepse cenojnë pavarësinë e gjyqësorit dhe krijojnë perceptim të gabuar për vendimmarrjen.

Rexhepi theksoi se gjykatat duhet të jenë të lira nga çdo ndikim i jashtëm, në mënyrë që besimi i qytetarëve në drejtësi të mbetet i palëkundur.

Sipas kryetarit të Supremes, unifikimi i praktikës gjyqësore dhe zbatimi i njëjtë i ligjit në të gjitha nivelet janë themel i pavarësisë dhe cilësisë së vendimmarrjes. Tha se vetëm një sistem i qëndrueshëm dhe i harmonizuar juridikisht mund të garantojë transparencë dhe standarde të larta në gjyqësor.

Nicola Scaramuzzo, Udhëheqës i Seksionit për Sundimin e Ligjit dhe të Drejtat Themelore në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, tha mbështetja e BE-së për Kosovën në kuadër të IPA III do të fokusohet në progres të matshëm, pavarësi, llogaridhënie dhe integritet të sistemit të drejtësisë.

Këtë deklarim, ai e bëri në kuadër të konferencës “Ditët e Gjyqësorit”, të premten.

Scaramuzzo nënvizoi se për Kosovën është me rëndësi që drejtësia të ofrohet në mënyrë të qëndrueshme në çdo hallkë të gjyqësorit.

Ai u zotua që BE-ja do të vazhdojë ta mbështesë vendin me një qasje të orientuar në rezultate konkrete.

Në fjalën e saj, Kryetarja e Komisionit Normativ në Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Drita Rexhaj, theksoi progresin e arritur në gjyqësorin e Kosovës gjatë 25 viteve të fundit, nga faza e rindërtimit pas luftës deri te konsolidimi i institucioneve dhe forcimi i profesionalizmit.

Ajo nënvizoi se reformat e viteve të fundit kanë sjellë procese më të strukturuara, standarde më të unifikuara pune dhe përgjegjësi më të qarta, duke përmirësuar edhe qasjen e publikut në drejtësi.

“Sistemi gjyqësor i Kosovës ka arritur rezultate të rëndësishme, gjë që dëshmohet edhe nga vlerësimet në raportet ndërkombëtare për Kosovën, të cilat konfirmojnë përparimin dhe rritjen e efikasitetit në kontekst rajonal dhe global,” tha Rexhaj.

Kryetari i Komisionit për Administrimin e Gjykatave në Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Fahret Vellija, theksoi se hapat strategjikë për rritjen e transparencës kanë prodhuar rezultate konkrete në sistemin gjyqësor.

Ai përmendi miratimin e Strategjisë së Komunikimit, Udhëzimin Administrativ për publikimin e vendimeve dhe vendosjen e standardeve të reja për ueb-faqet e gjykatave si masa kyçe që kanë ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e llogaridhënies ndaj publikut.

Sipas Vellijës, numri i vendimeve të publikuara ka kaluar nga vetëm 85 para një dekade në rreth 250 mijë sot, ndërsa vetëm në pesë vitet e fundit është shënuar rritje prej afro 565 për qind, duke dëshmuar një transformim substancial të sistemit gjyqësor të Kosovës. /BetimipërDrejtësi

Read Previous

Wenger: Anglia është ndër pretendentët kryesorë për Kupën e Botës 2026

Read Next

Gjykata Speciale: Më 24 shkurt 2026 nis gjyqi i dytë ndaj Hashim Thaçit