Në shënim të Ditës së Forcës, krerët e shtetit qëndruan në kazermën “Adem Jashari”, ku u njoftuan nga afër me kapacitetet ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se ushtria e Kosovës së bashku me institucionet tjera të sigurisë është garancia për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit.
E para e vendit pasi u njoftua nga afër me armatimin e FSK-së, tha se ushtria e sotme është pasardhëse e UÇK-së.
“Ushtria jonë e sotme është pasardhëse e denjë dhe krenare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. E djemve dhe vajzave të cilët vunë themelet e lirisë sonë, kurse sot këta djem dhe vajza që i shihni na bëjnë krenar jo vetëm brenda vendit, por edhe kudo që ata shërbejnë… Ushtria jonë çdo ditë po forcohet. Ushtria jonë çdo ditë po bëhet më operacionale, më ndërvepruese dhe më profesionale. Në radhët e ushtrisë sonë çdo ditë po shtohen djem dhe vajza të tjerë që dëshirojnë t’i shërbejnë atdheut. Jemi krenarë me punën e tyre dhe ata janë garanca më e fuqishme së bashku me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera të sigurisë për sovranitetin, integritetin territorial dhe mbrojtjen e shtetësisë sonë dhe mbrojtjen e çdo qytetari të Kosovës”, tha ajo.
Në anën tjetër, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, tha se ushtria e Kosovës po bëhet gjithmonë më e fortë dhe operacionale.
Ai tha se FSK-ja është trashëgimi e drejtpërdrejtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Është një vazhdimësi e një historie të lavdishme të popullit tonë dhe trashëgimi e drejtpërdrejtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Jemi krenarë që FSK-ja mbetet institucioni më i besueshëm në vend, kjo për shkak të një pune të shkëlqyeshme dhe përkushtimit të tyre për sigurinë. Po ashtu një përkushtim i ndërsjellë i shtetit të Kosovës që ka bërë në rekrutimin e 2000 ushtarëve por edhe investime”, deklaroi Basha.
Ndërkaq, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se në katër vitet e fundit janë investuar 430 milionë euro për mbrojtje dhe ngritje të kapaciteteve të FSK-së.
“Mbi 430 milionë euro është investimi në armatim dhe pajisje në këto katër vitet e fundit. Më përpara ushtria jonë ka pasur vetëm automatik dhe revole. Kjo do të thotë se ka qenë më pak e pajisur se vet Policia e Kosovës. Ndërkaq, tani është e pajisur me teknologji moderne dhe kjo sa vjen e shtohet, meqenëse tani kemi më shumë se dyfishim të çizmeve në tokë të ushtarëve tanë dhe syve në qiell për shkak se e kemi pajisur ushtrinë me dronë dhe do të kemi së shpejti edhe fabrikën e municionit dhe prodhimit të dronave ‘made in Kosova’. Në veçanti duhet theksuar sistemin anti-tank Javelin nga SHBA-ja. Jemi në proces që të marrim edhe helikopterë Black Hawk nga SHBA-ja. Ky është momenti që t’i falënderojmë aleatët tanë, në veçanti SHBA-të, që na qëndrojnë pranë me armatime dhe municion”, theksoi Kurti.
Forca e Sigurisë së Kosovës sot ka hapur dyert për qytetarët, me rastin e shënimit të Ditës së Forcës. Krahas qytetarëve të shumtë, në vizitë kanë shkuar edhe disa nxënës të disa shkollave fillore. /KosovaPress/